Shkruan:Bujar Bajrami

Kur pushteti kalon në duar të ‘rezilave’ të cilët e përdorin atë për të varfëruar, poshtëruar dhe frikësuar një ‘milet’ të tërë me qëllim që të përfitojnë pushtetin e përhershëm, e vetmja gjë që na ngelet është: të kapim lopatat, kazmat, çekanët e fturqit për të ç’rrënjosur njëherë e mirë këtë shëmti të politikëbërësve bashkë me folenë dhe karakterin e tyre prej zullumqari. Në të kundërtën duhet që të gjithë të largohemi nga ky vend.

Ndërsa më e mira, më e logjikshmja dhe më transparentja është që pushtetarët e këtyre 14 viteve qeverisje dhe opozitarizëm, të shpëtojnë të paktën një ‘pikë’ nga ndërgjegja e tyre duke e kuptuar se ka ardhur koha për ti thënë lamtumirë politikës. Nëse tërë kohës kanë deklaruar ‘marrëzira’ se kinse ja kanë dashur të mirën popullit të vetë, e kanë momentin tani të bëjnë një gjë në të mirë të popullit: të largohen përjetësisht nga jeta politike.

O me fe, o me kanun e ke të shkruar të zezë mbi të bardhë: i mjerë është ai që përdor pushtetin kundër zgjedhësve të vetë për të kënaqur egon personale. Mallkimi do ti ndjek nga pas kudo që të futen.

Dy dekada tmerr, fukarallëk, përçarje, sundim, shpërfillje, qytek, mashtrim, shpifje, përbuzje dhe poshtërim, nga ata që morën ‘dhuratë’ gjakun e njerëzve më të mirë të këtij vendi, për të ardhur në ‘kolltuqet’ plot me tagër, të cilin e përdorën me shumë ‘kollajllëk’ kundër vëllezërve të vetë të cilët i nxorën nga ‘podrumet’ për tu bërë ‘dikushi’ nga ‘askushi’. U zotuan për të bashkuar trojet Shqiptare bënë të kundërtën, u dhanë nën administrim ‘partnerëve’ të tyre Maqedonas, tokë të banuar me Shqiptar. U zotuan për të mbrojtur Shqiptarët me fe Islame nga çdo lloj epiteti që ka të bëjë me ‘terrorizmin Islamik’, bënë të kundërtën. Montuan raste, burgosën motrat tona madje na i shiten edhe vakufet. Na premtuan 2 miliard $ investime, bënë të kundërtën shitën 3 miliard $ pasuri publike. E dhanë fjalën se do të mbrojnë identitetin tonë kombëtar, bënë të kundërtën, e poshtëruan atë me një flamur të ‘copëtuar’ e me një gjuhë që nuk e njeh ‘kush’ nëpër institucione shtetërore. Shumëçka premtuan e shumë ‘katrahurë’ ngritën. U rëndon kur ua përmend se kjo që bëjnë tani nga ‘maja’ e pushtetit është e kundërta e asaj që e thonin nga maja e Sharrit. Për rezilin turpi s’është asgje. Kërkojnë me i ‘ça krejt’ nga ‘foleja’ e tyre.

E gjithë kjo i ngjanë një maskarallëku që rrallë kush e bën. Kjo është një ‘Rezilhane’ politike që rrallë ‘burra’ e bëjnë. E ju, dëshmuat ‘burrërinë’ tuaj me zullumet që po na i bëni për çdo ditë.

Jazëk u qoftë. Haram u qoftë buka që e hani.

Rezila dhe Edepsëza…!

B.B
( 03.06.2016 )