Ngjarjet që kanë ndodhur në vendet e Ballkanit perëndimor që nga fillimi i këtij viti, kanë bërë që Bashkimi Evropian, në muajt e fundit, ta kthejë vëmendjen në këtë rajon, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Vigan Qorolli, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se takimi i së mërkurës i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini me kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, është një nga sinjalet se Bashkimi Evropian po e kthen vëmendjen kah Ballkani perëndimor.

Sipas tij, në kohën e trazirave të mëdha për shkak të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Bashkimi Evropian, orientimin e tij strategjik do të duhej ta ketë kah Ballkani perëndimor, vendet e të cilit po e kalojnë një periudhë shumë të trazuar politike.

“Kemi parasysh këtu, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, Maqedoninë, Serbinë, por edhe Malin e Zi dhe rritjen e vazhdueshme të influencës ruse në vendet me popullsi kryesisht sllave”.

“Prandaj, kemi rrethanat, të cilat Bashkimi Evropian, me takimin e fundit të zonjës Mogherini me liderët e Ballkanit perëndimor, kërkon t’ua bëjë të qartë se perspektiva e tyre e vetme është Bashkimi evropian dhe reformat e thella ekonomike, politike dhe juridike, të cilat ata duhet t’i ndërmarrin në shtetet respektove, janë të vetmet mundësi për t’i orientuar vendet e tyre në cakun e tyre final, që është anëtarësimi në BE”./REL