Komisioni Shtetëror Zgjedhor të martën në mesditë ka publikuar emrat e 39.502 votuesve të kontestuar nga Lista Zgjedhore, të cilët deri më 16 gusht duhet të paraqiten për t’u regjistruar si votues në njësitë  rajonale të këtij institucioni dhe në zyrat e Drejtorisë për libra amë. Mbi 90 % nga kjo listë janë qytetarë shqiptarë, ku më të theksuara janë Tetova, Karposhi dhe Çairi.

Anëtari i KSHZ-së nga radhët e BDI-së, Subhi Jakupi, në një prononcim për gazetën të përditshmen KOHA thotë se risi në këto zgjedhje do të jetë vendosja e fotografisë për çdo votues në listën zgjedhore dhe se për momentin KSHZ është duke i përpunuar të gjitha fotografitë që i kanë marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Në drejtim të krijimit të besueshmërisë së plotë të listës zgjedhore, risi në këto zgjedhje do të jenë fotografitë për çdo votues në Listën zgjedhore. Ditën e mbajtjes së zgjedhjeve çdo person që do të paraqitet për të votuar do t’i verifikohet fotoja në letërnjoftim apo pasaportë me foton në Listën zgjedhore të vendvotimin përkatës. Ne jemi në përpunim e sipër të të gjitha fotove që na ka dërguar Ministria e Punëve të Brendshme dhe pasi të përfundohet me verifikimin e votuesve kontestues, lista do të jetë e gatshme për zgjedhjet e dhjetorit”, thotë Jakupi.