Një lajm i mirë! Instagrami po merr masa për t`i dhënë fund bullizmit. Kjo media sociale po përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar postimet ose komentet që janë raportuar më parë si të papërshtatshme nga përdoruesit. Për shembull, nëse ti shkruan “Ti je e shëmtuar dhe budallaqe” në postimin e një përdoruesi, ti do të marrësh një njoftim nga Instagrami: “Jeni të sigurt që dëshironi ta postoni këtë koment? Mësoni më shumë”. Nëse klikoni ‘mësoni më shumë’, atëherë do t`ju shfaqet një njoftim ku thuhet: “Po u kërkojmë njerëzve që të rimendojnë komentet që janë të ngjashme me ato që përdoruesit kanë raportuar”.

Gjithsesi ju mund të vazhdoni ta postoni komentin tuaj, por kjo gjë, sipas Instagramit ndikon te njerëzit duke i bërë ata të reflektojnë dhe të postojnë diçka që nuk do t`i lëndonte të tjerët, transmeton Revista Class.

Një risi tjetër e Instagramit është opsioni “Restrict”, i cili do t`i ndihmojë përdoruesit e Instagramit të filtrojnë komentet abuzive, pa qenë nevoja ta bllokojnë dikë. Kur një person bëhet “restricted”, komentin e tyre mund ta shohin vetëm ata dhe jo pjesa tjetër e audiencës dhe më e rëndësishmja, ai nuk do ta marrë vesh që është futur në listën “restricted”.

Ju mund të zgjidhni ta bëni të dukshëm për të tjerët komentin e personit në fjalë duke e aprovuar atë. Po ashtu, personat e përfshirë në këtë listë nuk mund të shohin kur keni qenë aktivë në Instagram dhe as nëse i keni lexuar mesazhet në DM.