Kompanitë vendase që prodhojnë mish dhe produkte të mishit kërkojnë nga Qeveria të zgjasë vendimin për lirim nga detyrimet doganore për import të lëndëve të para për përpunim, i cili skadon në fund të prillit sivjet. Ndryshe, ata paralajmërojnë rritje të çmimeve të mishit dhe produkteve të mishit, pas Pashkëve, për 20 deri në 40 %, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Vendimi për lirim nga detyrimet doganore tre vitet e fundit merrej në çdo gjashtë muaj, gjegjësisht ishte i përkohshëm dhe deri tani ka dhënë rezultate të mira, sikurse edhe masa e qeverisë, vauçerët për të blerë produkte vendore. Kompanitë e industrisë së mishit e kanë blerë të gjithë tepricën e mishit të derrit nga fermat vendase për përpunim, gjë që ka mundësuar prodhimtari të vazhdueshme dhe stabilitet në furnizimin e tregut, madje edhe sasi të caktuara për eksport. Prandaj, masa duhet të vazhdojë dhe të bëhet një zgjidhje e përhershme ligjore, sepse efektet për kompanitë vendase janë të konsiderueshme, theksuan nga Grupi për mish dhe përpunim të mishit në Odën ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

“Nëse vendimi për heqjen e detyrimeve doganore për lëndët e para për përpunimin e mishit, që arrijnë në 20 %, nuk vazhdon, gjegjësisht nëse kompanitë e paguajnë këtë shumë të taksave doganore, nuk mund të shmanget goditje e çmimeve dhe rritje e çmimeve të mishit dhe përpunimeve për 20, 30 ose 40 %, edhe atë që në muajin e ardhshëm. Për shkak të shfuqizimit të taksave doganore gjate tre viteve të fundit, importi i mishit dhe mishit të përpunuar ka rënë në mënyrë drastike, nga 13 milion ton në 2017 në 9 milion ton në 2020, gjegjësisht importi është ulur rreth 28 % në nivel viti. Prodhimtaria në vend shënoi rritje në nivel viti mes 8 dhe 15%,” tha kryetari i grupit, Goce Trajçov, në konferencën e sotme për shtyp.

Ai shtoi se për shkak të pandemisë, ka një rritje në çmimet globale të lëndëve të para të importuara për përpunimin e mishit, kështu që me kthimin e taksës doganore prej 20 %, jo vetëm që do të ndikojë në çmimin përfundimtar të brendshëm, por mund të rezultojë edhe me mbyllje të disa objekteve prodhuese.

Këto kërkesa janë paraqitur në Ministrinë e ekonomisë disa herë deri më tani, por nga atje ende nuk ka përgjigje konkrete.