RMV, Mbi 55 mijë punëdhënës kanë shfrytëzuar subvencionin për pagat

Drejtoria për të ardhura (hyra) publike raportoi se për tre muajt e fundit, gjithsej 55,025 punëdhënës kanë shfrytëzuar mbështetjen financiare për subvencionimin e rrogave të punëtorëve, si një masë për parandalimin e pasojave nga pandemia, transmeton Portalb.mk.

Kjo mbështetje arrin vlerën e 4,458,719,347 denarëve.

Në muajin prill janë 19,743 punëdhënës dhe 128,409 punëtorë, që shfrytëzuan një mbështetje financiare prej 1,792,970,895 denarë.

Në muajin maj janë 19,956 punëdhënës dhe 118,069 punëtorë, që shfrytëzuan një mbështetje financiare prej 1,646,458,185 denarë.

Në muajin qershor janë 15,326 punëdhënës dhe 73,381 punëtorë, që shfrytëzuan një mbështetje financiare prej 1,019,290,267 denarë.

Mbështetjen financiare e kanë shfrytëzuar 17.615 persona fizikë, që kryejnë veprimtari të pavarur, ndërsa shuma e përgjithshme për këtë qëllim është 255.417.500 denarë.

Për masën e subvencionimit të pagesës së kontributeve nga sigurimi i obligueshëm social për tre muaj, janë aprovuar 2.101 kërkesa, dhe për subvencionin e pagesës së kontributeve nga sigurimi i obligueshëm social për punonjësit e mediumeve për muajin qershor, korrik dhe gusht, deri më tani janë parashtruar 68 kërkesa.

Ndryshe, në periudhën prej 11 marsit e deri më 31 maj të këtij viti 11,904 persona kanë marrë statusin të personave të papunë, për të cilët paraprakisht është regjistruar aplikim në sigurimin e obligueshëm social, informojnë nga Agjencia për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Qeveria e RMV-së kishte vendosur me Dekret me fuqi ligjore që të subvencionon pagat e punëtorëve me 14,500 denarë.