Në Prokurorinë themelore publike në Shkup janë dorëzuar dy kallëzime penale, ku përfshihen njëmbëdhjetë polic nën dyshimet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë shpërndarjes së dokumenteve me identitete të rrejshme, transmeton Portalb.mk.

“Në padi janë përfshirë gjithsej 11 persona për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit” sipas paragrafit 1 nga neni 353 i Kodit Penal”, raportojnë nga Prokuroria.

Raportohet që dhjetë të dyshuarit janë punonjës policor në sektorin e pasaportave, derisa personi tjetër është ndërmjetësues, ndërsa dyshohet për dhënien 219 pasaportave.

“Kallëzimi i parë penal është në raport me 215 pasaportat e dhëna në mënyrë jo të ligjshme, ku të dyshuarit u mundësuan shtetasve të huaj të furnizohen me pasaporta të RMV-së me një identitet të huaj, identitet maqedonas, por me fotografi të peronit”, raportojnë nga Prokuroria, derisa kallëzimi i dytë ka të bëjë vetëm me katër pasaporta të falsifikuara, përmes keqpërdorimit të numrave amë.

Njëri nga të akuzuarit është në burg për rastin e keqpërdorimit të lejeve për vozitje, derisa për tetë është kërkuar paraburgim, ndërsa ndaj dy personave vetëm rritje e masave për kujdes dhe ndalesë për largim nga vendbanimi. Njëri nga tetë personat, për të cilët është caktuar masa për paraburgim, është i pakapshëm për policinë.