Marko Bislimoski, kryetari i Komisioni Rregullator për energjetikë në Maqedoninë e Veriut ka raportuar se do të pranojë ankesa nëse faturat e energjisë elektrike nuk përputhen me gjendjen reale të orëmatësit të rrymës elektrike, transmeton Portalb.mk.

“Komisioni i ankesave që vepron brenda KRE-së, do t’i japë përparësi zgjidhjes së tyre”, deklaroi Bislimoski, duke sqaruar se ka raste kur qytetarët në një muaj marrin fatura me çmime të larta, ndërsa në muajin tjetër paguajnë vetëm për ndriçimin rrugor, si një pagesë që kryhet çdo muaj në kuadër të faturë së rrymës elektrike.

Komisioni sqaroi gjithashtu edhe për mundësinë që orët për matjen e energjisë elektrike të lexohen nga qytetarët dhe në bazë të saj të formulohen faturat. Këtë mundësi EVN-Maqedoni e ofroi nga muaji maj, në atë mënyrë që qytetarët duhet të raportojnë vet sa kanë shpenzuar energji elektrike.

“Konsumatorët do të kenë mundësi t’i dërgojnë të dhënat për konsum të energjisë elektrike në tarifë të lartë dhe të ulët të orëmatësit të tyre deri te EVN dhe në bazë të këtyre të dhënave të pranojnë faturë për energji elektrike”, kishin sqaruar nga EVN-Maqedonia.

Komisioni sqaroi se EVN-Home nuk duhet të ndërprenë furnizimin e energjisë elektrike për qytetarët me gjendje të rëndë në muajin dhjetor, janar dhe shkurt për shkak të faturave të papaguara.

Mund të shtyhet pagesa e borxhit ose të organizohet në minimum gjashtë këste të njëjta, për kategoritë e prekura të evidentuar në Ministrinë për punë dhe politikë sociale. Gjithashtu janë të liruar që të kryejnë edhe pagesën për kyçje të serishme, si dhe janë të liruar nga pagesa në rast se kërkojnë të bëhet verifikimi i jashtëzakonshëm i pajisjes për matje.