Ish-­ndërmjetësi në kontestin e Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, Robin O’Nil për Programin Zëri i Popullit të Radio Maqedonia e lirë ka thënë se Maqedonia që moti është nën kërcënim nga fqinjët, të cilët nuk ia duan të mirën, madje dëshirojnë që Maqedonia të zhduket.

Por, stabiliteti i rajonit ballkanik kërkon që Maqedonia të mbijetojë si shtet sovran në suazat e kufijve të tanishëm.

Sipas ambasadorit britanik O’Nil, historia e ish-Jugosllavisë në tridhjetë vitet e kaluara i tregoi pasojat tragjike të cilat mund të ndodhin prej konflikteve midis bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare në vend.

“Që nga pavarësia e këtej, me maturinë e liderëve dhe të popullit të Maqedonisë u shmang një konflikt i tillë dhe ky është shembull për pjesën tjetër të Evropës”, shton ambasadori.

Greqia tashmë e disa vite është duke e bllokuar hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe po bllokon edhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Athina kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin kushtetues, si kusht për hyrje në NATO dhe nisje të bisedimeve me bllokun evropian.