Biletat e letrës për autobusë në Qytetin e Shkupit nga e diela mbeten në histori, pasi që ato zëvendësohen me kartela të reja elektronike, që vlejnë edhe për autobusët privat. Kjo masë e re hyn në fuqi nga 1 janari, ndërsa qytetarët duke vrapuar pas këtyre biletave, kanë shkaktuar tollovi nëpër qendrat ku lëshohen ato.

Radhët e gjata u krijuan sot në qendrat që lëshojnë kartelat elektronike nëpër qytetin e Shkupit. Qytetarët thonë se aplikimi i shpejtë i kësaj mase ka bërë që të krijohen këto tollovi.

“Po pres për vazhdimin e kartelave elektornike, prita edhe në qëndrën në Bit Pazar dhe më thanë që të pres këtu, e tani ja po pres. Kishte grumbuj njerëzish po tani disa shkuan”, u shpreh Mirjana Gjorgjeva, qytetare.

Edhe Stojan Stezhankovski thotë se po priste radhë për të dytën herë në Qendrën Transportuese, ndërsa më herët kishte pritur në qendrën Autokomandë.

“Po pres këtu për kartelat elektronike, tani erdha, prita në qendrën në Autokomandë e atje kishte shumë grumbuj njerëzish, erdhëm këtu tani e fat që hapi dritaren e na morri kartelat e tani presim të na i vërtetojnë. Ka shumë grumbuj njerëzish”, tha Stezhankovski Stojan, qytetarë.

Nga 1 janari në qarkullim do të jenë dy lloje të kartelave elektronike: portative dhe ato me fotografi, të cilat mund të përdoren në të gjithë autobusët e Qytetit, 325 autobusët e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik dhe në autobusët privat. Ato mund të nxirren në pesë qendra për personalizim, që ndodhën në disa lokacione të Qytetit të Shkupit.