Kombëtarja izraelite do të mbërrijë këtë të enjte në Shqipëri. Mediat vendase raportojnë se shqetësimi në skuadër është i dukshëm pas ndryshimit të stadiumit dhe dyshimet për sulm terrorist.

Për çështje sigurie mbahet sekret orari i mbërritjes së charter-it me lojtarët dhe stafin që e shoqëron. 15 agjentët e sigurisë izraelite që shoqërojnë skuadrën do të jenë në gjendje alarmi të nivelit dy, që do të thotë se rreziku është konkret.

Në gjende gatishmërie janë edhe forcat e sigurisë shqiptare. RENEA është angazhuar në shoqërimin e kombëtares izraelite që nga aeroporti i Rinasit deri në Elbasan.

Mësohet se për të siguruar ambientin do të angazhohen edhe agjentë të shërbimeve sekrete shqiptare.

Situata në Elbasan do të menaxhohet nga policia vendase por edhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në tarracat e ndërtesave rreth stadiumit, RENEA do të vendosë sniper-a.

Për të monitoruar situatën do të përdoren edhe helikopterët. Angazhimi i uniformave blu shqiptare do të jetë thuajse si me ndeshjen Shqipëri – Serbi e luajtur po në Elbasan Arena.

Nga mediat izraelite mësohet se futbollistëve të kombëtares u është thënë që nuk mund të dalin nga hoteli, dhe pas takimit ata nuk do të shpërndahen në klubet e tyre por do të kthehen si grup për të fluturuar më pas në destinacione të ndryshme.

Pritet që Izraeli ta zhvillojë seancën stërvitore pasditen e së premtes dhe më pas edhe konferencën për shtyp para ndeshjes që luhet të shtunën.