Në një kohë kur shumë shtete po përballen me zjarre shkatërruese, situata në vendin tonë është e qetë krahasuar me vitet e kaluara. Megjithatë autoritetet janë në gatishmëri, sepse temperaturat mbi 40 gradë Celsius e shtojnë edhe më shumë rrezikun për zjarre të mundshme. Por, puna e zjarrfikësve në vend shumë herë vështirësohet nga mungesa e pajisjeve të nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve.

“Mos ndodhtë që në vend të shpërthejë ndonjë zjarr i fuqishëm dhe të kemi nevojë që të vëmë në funksion avionët, sepse dy avionët e vetëm që posedon Maqedonia për të gjithë territorin për të parandaluar përhapjen e zjarreve janë jashtë funksionit tashmë dy vite. Në rast se do të ndodhte ndonjë situatë e tillë ne do të shpresonim që do të jenë vendet fqinje ata që do të na vijnë në ndihmë për të vënë në kontroll këto zjarre.”
Zëvendës komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Zvonko Tomeski, tha se avionët janë mjetet e para që aktivizohen në rastet kur shpërthen zjarr në terren ku qasja në rrugë tokësore është e vështirë. Ai apeloi që të njëjtët të servisohen sa më shpejt dhe të vihen në funksion. Përveç mjeteve, edhe numri i zjarrfikësve nuk është aq sa parashikohet me ligj. Në brigadën e zjarrfikësve në Shkup ka 160 zjarrfikës, ndërsa ky numër duhet të jetë 390.

“Përkatësisht 60% e mjeteve të përfituara nga sigurimi i pronës, ndahen për avionët, por ja nuk mund t’i përdorim. Ata janë nën kompetenca të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim që menaxhon me ato mjete financiare. Po duhet të servisohen, por gjithmonë ka vonesa. Edhe në të kaluarën kemi pasur problem me angazhimin e tyre, përkatësisht angazhim me vonesë. Ato janë mjete që të parat duhet të angazhohen për të penguar përhapjen e zjarreve. Edhe pse kapaciteti tyre është jo shumë i madh, megjithatë apeloj që sa më shpejt të vihen në funksion”, tha Zvonko Tomeski, zv.komandant i Brigades së Zjarrfikësve.

Gjatë tre ditëve të fundit Brigada e Zjarrfikësve ka realizuar 18 ndërhyrje në ambient të hapur. Ndërhyrje më e komplikuar, sipas zjarrfikësve, ishte ajo në fshatin Straçincë, për shkak të erës së fuqishme, në Graçanik dhe në Vodno, ku ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve kishte parandaluar që zjarri të shkaktonte dëme më të mëdha. Nga 2 korriku ka hyrë në fuqi ndalesa për lëvizje në pyje nga ora 6 e mëngjesit, deri në orën 20. Kushdo që planifikon të lëviz në pyje gjatë këtij harku kohorë, duhet të aplikojë për leje të posaçme. Zjarr vënia e qëllimshme apo nga pakujdesi konsiderohet si vepër penale, e cila varësisht provave dhe rrethanave të tjera me burg deri në 8 vjet. Në vitin 2019, u regjistruan zjarre që shkrumbuan qindra hektarë në të shumtën e rasteve shkaktar thuhej të ishte faktori njeri.// Alsat-M