Ushqimet “fast food” ndalojnë zhvillimin e trurit të fëmijëve duke rritur mundësitë e zhvillimit të sëmundjes mendore të Alzheimer. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore të Psikiatrisë, sasia e tepërt e sheqerit dhe yndyrave ul nivelet e një proteine të rëndësishme, të quajtur reelin, e cila mban të lidhura neuronet.

Pa këtë proteinë, funksionet e trurit ngadalësohen, duke penguar fleksibilitetin e sjelljes dhe të kujtesës, duke rritur gjithashtu mundësinë e zhvillimit të sëmundjes se Alzheimer, më vonë në jetë.

Studimi kishte në qendër adoleshentët, pasi ata janë edhe më të prirur për të ngrënë ushqime jo të shëndetshme, por edhe pasi truri i tyre është në një fazë zhvillimi, shkruan Tv Klan.

Megjithëse duhen kryer ende studime, ekspertët shprehen se proteina reelin është faktor kyç në rregullimin e funksioneve normale të trurit.

Rezultatet e studimit mund të ndihmojnë për të shpjeguar se si ushqimet jo të shëndetshme, të njohura si ‘fast food’ dhe rrjedhimisht obeziteti janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e kushteve neuropsikiatrike dhe neurologjike.