Në Qendrën e përkohshme Tranzitore në Tabanoc pranë kufirit me Serbinë ka filluar të rritet numri i emigrantëve nga Lindja e Mesme. Ata po arrijnë në Maqedoni përmes rrugëve të ndryshme. Vetëm për disa ditë numri i refugjatëve në këtë qendër nga 60 ka shkuar në mbi 100 që kryesisht janë nga Iraku, Siria e Afganistani.

“Momentalisht në Kampin Tranzitor të Tabanocit numri i refugjatëve është 102 që don të thotë se ka disa lëvizje në rritjen e numrit të refugjatëve ku një pjesë e tyre janë prej fillimit që prej kur është mbyllur rruga drejtë vendeve evropiane, ndërkaq një pjesë tjetër me kërkesë të policisë janë sjellur në kamp dhe janë në procedure për azil dhe janë në pritje të vendimit për azil”, tha Arbnor Dauti, Qendra për Menaxhim me Kriza.

Emigrantët nuk janë të kënaqur nga kushtet që ofrohen në këtë qendër. Ata thonë se nuk janë duke u furnizuar me batanije dhe mjete të tjera të nevojshme për tu mbrojtur nga të ftohtit.

“Jemi deri diku të furnizuiar me mjete ushqimore, higjienike si dhe me veshmbathje. Falënderojë të gjithë ata që po na ndihmojnë gjatë qëndrimit tonë në këtë kamp që nga muaji mars jemi këtu. Synimi jonë është të dalim në Evropë konkretisht në Gjermani”, u shpreh Ebu Abdullah, refugjat nga Iraku.

“Me organizatat humanitare jemi të kënaqur kurse me Kryqin e Kuq nuk jemi edhe aq për shkak se nuk na japin sa duhet batanije. Këtu në kamp bën të ftohtë këtu ndërsa ne qëndrojmë gati 9 muaj”, tha një tjetër refugjat nga Siria.

Ndryshe nga institucionet, shoqatat humanitare tani vazhdimisht ju kanë dalë në ndihmë emigrantëve.

“Jemi prezent me aktivitete rekreative por gjithashtu sjellim edhe paketa ushqimore. Këto ushqime i sjellim deri te Kryqi i Kuq mandej ata bëjnë shpërndarjen e tyre”, deklaroi Avni Saliu, Legis.

Përveç se në Qendrën Tranzitore në Tabanocë turma të emigrantëve vërehen edhe në fshatin kufitar Llojan të Komunës së Likovës.