Oferta e re e Vetëvendosjes për koalicionin qeverisës ka thyer premtimin e fushatës zgjedhore të partive fituese që të përgjysmohen ministritë nga qeveria e kaluar. Tani Vetëvendosje ka propozuar që numri i ministrive të rritet në 14, e që kjo ofertë është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Analisti politik Leon Duhanaj, vlerëson se, oferta për ta rritur numrin e ministrive është krejtësisht në vazhdën e ndjekjes së interesave për pushtet, e jo, as të qytetarëve, e as të Kosovës.

Duhanaj, mendon se arsyeja kryesore është mosbesimi i ndërsjellët që kanë këto dy subjekte.

“Megjithatë, nëse ky vërtetë është argument, atëherë z. Kurti ketë e ka ditë dhe, se kjo vërtetë i bie mashtrim ndaj qytetarëve. Për mendimin tim, ka edhe elemente të tilla, por arsyeja kryesore është mosbesimi i ndërsjellët që kanë këto subjekte, gjë që reflekton në në mënyrën se si i trajtojnë çështjen e pozitave të rëndësishme siç janë Presidenti dhe Kryeparlamentarin.”, ka thënë ai.

E, analisti politik Fatmir Sheholli, vlerëson se, propozimi i Vetëvendosjes për ta rritur numrin e ministrive do e bënte Vetëvendosjen si parti mosbesuese.

“Është thyerje e parimit të tyre politik dhe kjo e benë mosbesuese Vetëvendosjen si parti parimore”, ka thënë Sheholli.

Ndryshe, bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), janë duke vazhduar, të dy partitë nuk po arrijnë të zgjidhin nyjën, e cila po e bllokon arritjen e një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës.