Rritja e pagave në sektorin publik në periudhën e ardhshme do të varet nga metodologjia e re për rritjen e pagave, rezultateve në vendin e punës, marrëveshjeve kolektive që pritet të nënshkruhen deri në fund të këtij viti, si dhe nga rritja e harxhimeve të jetesës dhe rritja e pagës mesatare. Ekzekutivi ka paralajmëruar se gjatë rritjes së ardhshme të pagave në sektorin publik, do të merret parasysh edhe rritja e produktivitetit së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron administrata për sektorin privat, që edhe i siguron mjetet financiare për pagat e tyre.

Nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, kanë paralajmëruar se metodologjia e re e pagave në sektorin publik do të jetë gati deri në vitin e ri, ndërsa do të zbatohet që nga janari i vitit 2023. Përkundër kërkesave të Sindikatës së Administratës për rritjen e pagave për së paku 7000 denarë si rrjedhojë e inflacionit të lartë dhe shtrenjtimit të madh të jetesës dhe për rritjen lineare që e kërkonte Lidhja e Sindikatave që katër muaj më parë prej afër 3000 denarë , pritet që të ketë rritje të pagave, por jo në bazë të kërkesave të sindikatave.

Numri një I Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Jovanka Trençevska thotë se punëtorët do të fitojnë rritje lineare të pagave , por jo edhe shumën prej 2806 denarë siç kërkonte LSM. Është hedhur poshtë edhe kërkesa e sindikatave që pagat mesatare të harmonizohen me rritjen e pagës mesatare me arsyetimin se Neni 8 i Ligjit për pagën minimale nuk vlen dhe është jashtë fuqisë, sepse i referohet vitit 2012 kur është miratuar, me dispozita kalimtare dhe përfundimtare.

“Marrëveshja e re kolektive do të sjellë më shumë të drejta për punëtorët, ndërsa metodologjia e re do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pagave të punonjësve në sektorin publik. Njëherësh parashikohet edhe zgjidhje sistemore që nuk do të varet nga ndonjë vullnet politik”, shton ajo. Në ndërkohë, sindikatat e Maqedonisë në periudhën e kaluar argumentojnë se jeta e punëtorit dhe qytetarit në Maqedoni, po bëhet se vjen e më e shtrenjtë dhe se gjithnjë e më shumë punëtorë po punojnë, por janë të varfër dhe nuk mund të përballojnë as ushqimet bazë për të ushqyer familjen. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se po mungojnë masa të reja të mbështetjes për punëtorët , ndërsa inflacioni prej 16.8 për qind në mënyrë shtesë po varfëron popullatën. Nga atje shtojnë se edhe paga minimale prej 18. 324 denarë sërish është e mjaftueshme vetëm për bukë dhe ujë.

Nga LSM vlerësojnë se edhe me 48.234 denarë mezi mbijeton një familje mesatare. Të dhënat e fundit nga shporta minimale e sindikatave tregojnë se në muajin gusht një familje me katër anëtarë që jetonte në një shtëpi prej 50 metrash katrorë dhe nuk kishte veturë , kishte nevojë për 41.295 denarë vetëm për të siguruar produktet bazë për jetesë, ndërsa kur kjo shumë rritet për 16,8 për qind inflacion ose 6.937 denarë, kjo në fund është 48.234 denarë. Në përllogaritje nuk është përfshirë kostoja për një nxënës për blerjen e materialeve të nevojshme për fillimin e vitit shkollor, të cilat, sipas përllogaritjeve të LSM-së, arrijnë në 6000 denarë shtesë.