Në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 386 raste të tjera me koronavirusin e ri (COVID-19), numër më i madh i rasteve një-ditore që nga shpërthimi i pandemisë, me çka numri i përgjithshëm i rasteve me këtë virus në vend ka shkuar në 20.163.

Kjo është dita e tretë me radhë që shënohen numra rekord, pasi të mërkurën u regjistruan 317 raste, ndërsa dje 364.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 6 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, me çka numri i përgjithshëm i viktimave të shkaktuara nga ky virus u rrit në 781.

Instituti i Shëndetit Publik sot regjistroi 154 pacientë të tjerë të shëruar nga COVID-19, duke e çuar në 16.009 numrin e përgjithshëm të pacientëve të shëruar nga ky virus në vend, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive me koronavirus është 3.373.

Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit janë kryer 2.267 teste të dyshuara për COVID-19, ndërsa deri më tani janë kryer gjithsej 203.779 teste.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë për media dje paralajmëroi rivendosje të disa masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke theksuar se vërehet rritje e numrit të rasteve të reja.