Rruga e Kombit” shtrihet nëpër këndin më të varfër dhe më të largët në Evropë, ku shumë fshatarë ende jetojnë në kushte të vështira, duke luftuar që ta çojnë muajin deri në fund.
Autostrada e gjatë 137 km me katër korsi që lidh kryeqytetet e Shqipërisë dhe Kosovës ka nxjerrë dy miliardë euro nga “portofolët” e të dyja vendeve – që u detyruan të devijojnë fondet nga shumë projekte të tjera shumë të nevojshme, si ndërtimi i shkollave, spitaleve dhe rrugëve të tjera më pak të kushtueshme, shumë prej të cilave mbetën të pashtruara.
Pas një hulumtimi gjashtëmujor, BIRN-i publikon dokumentet e panxjerra nga Shqipëria dhe Kosova me detaje, të shkallës së keqmenaxhimit dhe kostove të rritura e të pandalshme, të cilat kanë nxitur deri më tash tri hetime për korrupsion, abuzim të detyrës dhe keqbërje të lidhura me kontratën. T ë ndërtuara mbi premisat e krijimit të pasurisë nga ngritja e tregtisë dhe turizmit, çmimi i fundit për rrugët së paku ishte dyfishuar në të dyja vendet nga çmimet fillestare të ofruara.
Tregtia në mes Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar vetëm një rritje modeste prej se është hapur rruga vitin e kaluar, por nuk ka çuar në rreshtimin e kamionëve që zakonisht shihen në kufijtë e tjerë të Ballkanit. Ekspertët vlerësojnë se rruga po përdoret vetëm në 10 për qind të kapacitetit të saj. Në anën tjetër, kompania ndërtuese Bechtel- Enka përvetësoi profite me qindra miliona euro falë pjesërisht, sipas argumenteve të kritikëve, kontratës së majme në favor të tyre, çmimit të lartë dhe kthimit të taksave.