Rruga regjionale Tetovë-Jazhincë dhe disa rrugë kryesore në qytetin e Tetovës janë bërë ankth për qytetarët të cilët për shkak të vozitjes me shpejtësi të madhe dhe mosrespektim të shenjave të komunikacionit, në disa raste kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Qytetarët e anketuar ankohen se shumica e shoferëve nuk respektojnë rregullat e komunikacionit, duke rrezikuar jetën e këmbësorëve e sidomos të fëmijëve dhe të moshuarve, siç ishte rasti i fundit me 50 vjeçarin nga Dobroshti, i cili humbi jetën në aksin rrrugor Tetovë-Jazhincë si pasojë e një aksidenti.

“Rreziku është 1000% jo 100%, ju e patë se unë duhet të pres 10 minuta për të kaluar rrugën edhe vozitësit duhet të kenë kujdes, mirëpo kur janë zebrat, sigurisht edhe ato do të marrin masa dhe e dinë, por këtu mos e çoj Zoti as kujt çdo kush ka fëmijë,mund të kalojë e të mbytë” – tha një banorë i anketuar nga TVM2.

“Pati aksident, edhe mbrëmë njëjtë vdiq njeriu, shpejtë vozitet, vendet janë pa vija të bardha, as kush nuk i respekton rregullat” – tha një banorë tjetër.

Nga SPB-Tetovë, thonë se kanë shtuar masat e kontrollit në komunikacion, përfshirë këtu edhe matjen e shpejtësisë dhe kontrollin teknik të automjeteve.

“Kohët e fundit i kemi shtuar masat në terren, me kontroll shtesë ku bëjmë matjen e shpejtësisë, gjendjen teknike të veturave, ku kemi shfrytëzuar stacionet për kontrollet teknike. Ditën e djeshme kemi pasur një aksion të tillë ku kemi kontrolluar një numër të konsiderueshëm të veturave, normalisht ndaj atyre veturave që kemi hasur teknikisht jo në rregull kemi marrë masa adekuate, bëhet fjalë për vetura që janë të parapara për transport publik. Për rrugën Tetovë-Jazhincë, ne kemi marrë masa në veprimtarin e komunikacionit. Shpejtësia e tepërt është një shkak kryesor për ndeshjet e komunikacionit, por edhe tejkalimi në vijë të plotë është rrezik për qytetarët” – tha Komandanti i Policisë së Komunikacionit në Tetovë, Besir Qamili.

Aksidenti fatal i cili i mori jetën 50 vjeçarit nga Dobroshi është shkas që banorët e Dobroshit të dielen të dalin në protesta me kërkesën që institucionet të marrin masa në rrugën regjionale Tetovë-Jazhinc.