Rubrika e re satirike – Flokë e Politikë

Personazhet Kryesorë të Serialit “Flokë e Politikë”
________________________________________
1. Berberi – “Daja Ilmi”
Mosha: Rreth të 60-ave
Origjina: Tetovë
Profesioni: Berber me përvojë prej dekadash
Stili: Humor therës, filozofi popullore, batuta që godasin si brisk
Tiparet:
• Memorie enciklopedike për të gjitha zgjedhjet nga koha e Jugosllavisë deri sot
• Nuk i beson asnjë partie… të gjithë i quan “ustallarë të mashtrimit”
• Fjalët i ka më të mprehta se brisku
Fraza karakteristike:
– “Or bir, këta nuk ta presin flokun, ta shkulin kokën!”
________________________________________
2. Gazetari – “Mali”
Mosha: 30-vjeçar
Origjina: Tetovë
Profesioni: Gazetar i pavarur, punon për një portal lokal
Stili: I shpejtë, cinik, me laptop gjithmonë me vete
Tiparet:
• Brezi i ri, gjithmonë në kërkim të “skandalit të radhës”
• E sheh politikën si burim lajmesh, jo si ideal
• Ka qasje më moderne, por shpesh bie në kurthin e naivitetit profesional
Fraza karakteristike:
– “Dajë, kjo është për portal… skandal me përmasa lokale!”
________________________________________
3. Taksisti – “Xhaferi prej Debreshi”
Mosha: 50+
Origjina: Debresh, Gostivar
Profesioni: Taksist
Mjeti: Golf 3, ngjyrë hiri, me dyer që nuk mbyllen mirë dhe me tapiceri të tymosur
Tiparet:
• Tymi i duhanit është pjesë e brendshme e makinës
• Ka qindra histori pasagjerësh, politikanësh dhe thashetheme fshati
• I drejtpërdrejtë, me humor të thatë dhe gjuhë pa filtra
• Njeriu i terrenit: e di kush me kë shkon, kush ka borxh, kush ka dashnore, kush bën tendera
Fraza karakteristike:
– “Unë i kam vozit të gjithë… prej ministresh deri te ata pa dinar në xhep!”
________________________________________
4. Studenti – “Drini”
Mosha: 22 vjeç
Origjina: Strugë
Statusi: Student i gazetarisë në Universitetin e Tetovës
Tiparet:
• Idealist, pak naiv, gjithmonë me bllok shënimesh në dorë
• Shkruan ese për “ndikimin e mediave në demokraci” por vuan me praktikën reale
• Ka qejf të debatojë me Malin dhe Dajën Ilmi për “etikën gazetareske”
• Shpesh kapet duke bërë “live” për TikTok ose duke regjistruar fshehurazi bisedat në berberi
Fraza karakteristike:
– “Profesori na tha se qytetaria aktive nis nga terreni!”
________________________________________
5. Aktivisti i zhgënjyer – “Shpëtimi nga Gostivari”
Mosha: 35 vjeç
Ish-pozita: Koordinator komunal, ish-besnik i Taravarit
Statusi: Pa punë, pa veturë, me borxhe te Xhaferi
Tiparet:
• Jeton me nostalgjinë e “kohëve të arta të ASH-së”
• Ka mbetur me premtimet e pambajtura të doktorit
• Çdo ditë refresh Instagramin e Taravarit për ndonjë postim shprese
• Përdor shërbimet e taksistit Xhafer me “pagesë të vonuar”
Fraza tipike:
– “Për doktorin kam lënë gjithçka… tash s’kam asgjë!”
6. Shankisti – “I Ramiut”
Emri real: Askush nuk e di. Të gjithë i thonë “shankist”
Profesioni: Papunësia e tij është zanat më vete
Hobi: Thashethemet, shpifjet dhe mashtrimet e lezetshme
Tiparet:
• Shpesh i huq me informatat politike
• I njohur për “burime të sigurta” që as vetë s’i di
• Manipulon Ramiun e Tetova Nesër me “ekskluziva të rreme”
• Çdo dy javë i bie telefoni për ndonjë “shans pune në Evropë”
• Pas shumë mashtrimesh, përfundon kamarier në Kroaci, por sërish vazhdon të dërgojë “informacione bombastike” nëpër WhatsApp
Fraza karakteristike:
– “O Rami, kjo që po ta jap sot, nuk është për publik… vetëm për ty!”
6. Postieri (Militanti i BDI-së)
Profili: Rreth të pesëdhjetave, trup mesatar, gjithmonë me uniformën e verdhë të Postës dhe çantën e rëndë me letra. Ka një zë të lartë dhe flet me patos si në miting.
Karakteristikat: Militant fanatik i BDI-së, e përdor punën e postierit për të shpërndarë propagandë, fletushka dhe premtime të partisë. Ka fraza të gatshme si: “Zhvillimi vjen!”, “Aliu nuk premton kot!” dhe “Gjithçka është pjesë e planit të madh!”.
Stili i të folurit: Me tone bindëse, plot entuziazëm militant, shpesh me slogane politike.
Marrëdhëniet me të tjerët:
• Nuk duron kritika ndaj BDI-së.
• Përplasjet më të shpeshta i ka me Dajën Ilmi dhe Xhaferin që e ironizojnë.
• Mundohet t’i bindë të gjithë se “ndryshimi po vjen”.
• Me Maliun ka marrëdhënie të tensionuar, sepse gazetari nuk ia ha propagandën.
Humori: Personazh komik, tipik “agjitator lokal”, që shpesh bëhet objekt talljesh, por vetë nuk e kupton.

________________________________________
Rubrika e re satirike në FOL.mk: “Flokë e Politikë”
Humor, debat dhe të vërteta të hidhura… direkt nga berberia e Dajës Ilmi, taksia e Xhaferit dhe portali i Malit.

Me këtë episod hapim një rubrikë të re javore në FOL.mk: “Flokë e Politikë”, një serial satirik që sjell zërin e rrugës, muhabetin e berberisë, thashethemet e taksisë dhe analizat cinike të gazetarit lokal. Politika shqiptare në Maqedoni, e servuar me humor, ironi dhe pak nostalgji për kohë më të sinqerta.
________________________________________
Episodi 1: Asfalti i natës dhe mbledhja e Doktorit
(Ambient: Berberia e Dajës Ilmi – mbrëmje e vonë)
Në sfond dëgjohen zhurmat e makinerive që vendosin asfalt në rrugicën pranë. Pluhuri, era e briskut dhe televizori i vjetër që lëshon lajme lokale.
Daja Ilmi (duke parë nga dritarja):
Hajt mo, shife… edhe natën po e qesin asfaltin! Po më duket se Billy ka vendos me fitu edhe me fenerë nate!
(Mali hyn i nxituar, me çantën e laptopit dhe telefonin duke regjistruar voice memo.)
Mali:
Dajë, shpejt, më rregullo pak flokët… duhet me ikë te mbledhja e Doktorit. Vendim i madh sonte… a me Aliun, a vet, a me mbet me derivatet e BDI-së!
Daja Ilmi:
Aaa… doktori po prap me dilema. Po kur u nda prej Ziadinit çka thoshte? “Asnjëherë me BDI-në”! Tash? Me Aliun nën një çadër? Hajt more…
Mali (duke qeshur nervoz):
Dajë, për portal është kjo… skandal lokal me pasoja kombëtare!
(Teksa Mali del me flokët gjysmë të rregulluara, në derë takon Xhaferin Taksistin.)
Xhaferi (duke u kollitur nga tymi i duhanit):
Hë Mali, ku po e ndjek skandalin kësaj radhe?
Mali:
Te mbledhja, te Doktori… me pa a ka me bo “bashkim kombëtar” me Aliun!
(Mali largohet me nxitim. Xhaferi hyn brenda.)
Daja Ilmi (me ironi):
Ku paska cof ky ujk?! Xhafer, qysh ke? Shumë kohe pa u pa!
Xhaferi:
E more dajë… Shpëtimin e prura. Ish pa veturë, pa punë, pa shpresë. Po më vjen keq… edhe borxh për taksinë m’ka ngel!
Daja Ilmi:
Kështu ndodh kur beson shumë në “lidera të përkohshëm”!
Xhaferi:
Po ju këndej ka Tetova? Si po i shkojnë punët Billyt?
Daja Ilmi:
Si gjithmonë… asfalt e propagandë. Njerëzit flasin, por askush s’guxon me dalë kundër. Të them të drejtën… më duket se për kandidat të opozitës po përmendet një farë Bajrami që duan me e bë kurban!… kurrë s’e kam dëgju!
Xhaferi:
Bajrami?! E kush është ai?
Daja Ilmi:
Po kush e njeh… po më duket se vetëm për me pas dikë me humbje po e nxjerrin.
(Hyn Shpëtimi, me fytyrë të lodhur dhe i dëshpëruar.)
Shpëtimi:
Hajde Xhafer, shkojmë… u bë vonë… s’dua më as me dëgju për parti!
Daja Ilmi:
Hajt more Shpëtim… si kaluat në mbledhje? Vendosët a jo?
Shpëtimi (me nervozizëm):
Vendosëm… me dëshpërim! Ska mbet njeri! U bë partia si çajtore muhalle .As ujë s’na dhanë! Po më vjen inat me këta kangallat që i mbushën mendjen doktorit me rrena!
Xhaferi (duke e ngushëlluar):
Ehh… edhe ti… shumë shpresë paske pas!
Daja Ilmi (duke e lëshuar batutën finale):
Hajt rrugë të mbarë burra… e kur t’u bjerë udha… hajdeni prap… Daja s’ua mbyll derën, siç ua mbyllën ata që po i ndiqni!
(Xhaferi dhe Shpëtimi largohen me Golf-in, Mali shihet larg duke bërë “live” për portalin.)
________________________________________
Paralajmërim për Episodin 2: “Gostivari – Doktori, Dyert e mbyllura dhe shpresa e Shpëtimit”
Në episodin tjetër:
Gostivari bëhet qendra e krizës politike. Daja Ilmi, Xhaferi dhe Mali analizojnë “rënien e Doktorit”, lëvizjet e BDI-së, dhe thashethemet për një kandidat të ri që mund të dalë nga Debreshi!