Të premten Rusia dërgoi parashutistë në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë, ku qindra migrantë po përpiqen të kalojnë në Bashkimin Evropian.
Kremlini tha se dërgimi i trupave ka të bëjë me një stërvitje të përshpejtuar. Por kjo lëvizje përkon edhe me shtimin e forcave ushtarake ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, ndërsa veprimi po shton alarmin tek evropianët dhe Shtetet e Bashkuara.
Moska është akuzuar se ka ndihmuar aleatin e saj, udhëheqësin e Bjellorusisë Alexander Lukashenko, për orkestrimin e kalimit të migrantëve në Poloni, si një formë ‘lufte hibride’ kundër Bashkimit Evropian dhe provokim ndaj bllokut.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë biseduar me aleatët e NATO-s lidhur me mundësitë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për të gllabëruar pjesë të tjera të Ukrainës, siç bëri në vitin 2014 kur aneksoi Krimenë.

Më herët këtë javë, kryediplomati amerikan Antony Blinken tha se, “Nuk kemi qartësi rreth qëllimeve të Moskës, por e dimë si vepron ajo. Shqetësimi ynë është se Rusia mund të bëjë një gabim serioz duke u përpjekur të përsërisë atë që bëri në vitin 2014, kur grumbulloi forca përgjatë kufirit, u fut në territorin sovran të Ukrainës dhe pretendoi në mënyrë të rremë se ishte provokuar.”

Por nga ana tjetër, zyrtarët rusë mohojnë se shtimi i trupave në kufirin me Ukrainën ose dërgimi i parashutistëve në Bjellorusi është i pazakontë apo agresiv.