Moska nuk ka iluzione se marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mund të përmirësohen shpejt nën presidencën e Donald Trumpit, ka thënë sot në Parlament ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Më herët, zyrtarët rusë iu gëzuan fitores së Trumpit në zgjedhje dhe shprehen shpresa për marrëdhënie me të mira mes dy vendeve.

Duke folur sot në Parlamentin rus, Lavrov tha: “Rusia nuk ka iluzione se do të ketë rivendosje të re [të marrëdhënieve] me SHBA-në. Ne nuk kemi pritje naive.”

Ai ka thënë se ata e dinë se Trump është mjeshtër i arritjes së marrëveshjeve, por se edhe Putin di ta bëjë të njëjtën.

“Ne e dimë se Trump konsiderohet si mjeshtër i marrëveshjeve, por Vladimir Putin di si t’i arrijë marrëveshjet, po ashtu, në interesa të Rusisë,” ka thënë Lavrov.