Ministria e Jashtme ruse ka paralajmëruar vendet e perëndimit të mos ndërhyjnë në krizën politike në Maqedoni.
 
Të enjten zëdhënësja Maria Zakharova tha se Rusia është e shqetësuar në lidhje me përshkallëzimin e krizës politike në Maqedoni dhe i bën thirrje Perëndimit të mos përfshihet në punët e brendshme të vendit.

“Perëndimi është duke përdorur pakicën shqiptare në përpjekje për të sjellë në pushtet në Shkup, opozitën e mposhtur, që aprovoi ultimatumet shqiptare që çuan në shkatërrimin e parimeve kushtetuese të vendit. Përpjekjet e vazhdueshme shkatërruese për të imponuar skema nga jashtë në kundërshtim me dëshirat e votuesve maqedonas, vetëm sa do e përkeqësojë situatën. Është domosdoshme të ndalohet ndërhyrja e huaj në punët e brendshme të Maqedonisë, për të respektuar të drejtën e qytetarëve të Maqedonisë për t’i dhënë formë fatit të tyre, në përputhje me parimet themelore demokratike”, tha Maria Zakharova.

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, kriza politike e Maqedonisë “e provokuar nga një ndërhyrje e jashtme e që bie në kundërshtim me punët e brendshme të vendit” është duke u përkeqësuar.

Kriza politike në Maqedoni filloi në vitin 2015, kur opozita akuzoi konservatorët në pushtet për përgjimin e bisedave telefonike të 20.000 personave, duke përfshirë edhe oficerë të policisë, gjyqtarë, gazetarë dhe diplomatë. Kjo përshkallëzoi në “Marrëveshjen Przino” midis partive më me influencë në Maqedoni, ku më pas, kryeministrit Nikolla Gruevski iu desh të jepte dorëheqjen dhe parlamenti u shpërnda.

Maqedonasit zgjodhën një parlament të ri në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit të vitit 2016, pas disa anulimeve.

Përsa i përket votave, partia konservatore VMRO-DPMNE dhe partia opozitare LSDM-ja fitoi 51 dhe 49 vende, respektivisht. Megjithatë, secilës palë i duhej mbështetja e partive të vogla pro-shqiptare për të formuar një qeveri koalicioni, pasi janë 120 vende në trupin legjislativ të vendit.

Maqedonia iu bashkua Partneritetit për Paqe të NATO-s në vitin 1995 dhe Planit të Veprimit për Anëtarësim në vitin 1999, që është program këshillimi, ndihme dhe mbështetjeje për vendet që kërkojnë të bashkohen me Aleancën.