Profesori universitar Nano Ruzhin thotë se ekipi amerikan në Shkup për të hetuar korrupsionin në Maqedoninë e Veriut ka ardhur më së shumti sepse siç thotë ai, autoritetet maqedonase kanë kapacitete të kufizuara dhe janë joefektive në këtë fushë.

“Një lëvizje e tillë vjen pas analizës së administratës amerikane për Ballkanin Perëndimor, në të cilën janë vërejtur devijime të mëdha nga sundimi i ligjit. Këto vlerësime plotësohen nga ato të BE-së dhe NATO-s. Për këtë, diplomacia amerikane e vendeve aleate nga ky rajon përpiqet t’i ndihmojë, sepse konsiderohet se autoriteteve maqedonase u mungon efikasiteti dhe kapaciteti”, thotë ish-diplomati për “Faktor”.

Lajmin për ardhjen e ekipit amerikan e ka bërë të ditur ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler. Pas emërimit të saj si ambasadore e re e SHBA-së në Maqedoni, ajo deklaroi qartë se fokusi i saj në vend do të jetë lufta kundër korrupsionit. Diçka të ngjashme ka bërë të ditur edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ruzhin shton se SHBA-ja nuk do t’i imponojë zgjidhje Maqedonisë së Veriut, por me trajnime dhe këshilla.

“Këto ekipe do të trajnojnë personel nga të gjitha fushat, pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Këta janë ekspertë që dinë të zhdukin korrupsionin nga mentaliteti dhe institucionet. Administrata do të jetë në shënjestër më të madhe – aty ku ka gjithçka nga dhënia e lejeve, prokurimet publike deri te mbivendosjet e kompetencave. Do të mundohen të imponojnë një qasje sistematike, sepse tek ne vetë korrupsioni është sistematik”, thotë ai. Ruzhin pret të punojë me ekipin e SHBA kryesisht në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe policisë. (INA)