Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hesht për koston e votimit në diasporë. Të pyetur disa herë, nga KSHZ-ja nuk tregojnë sa ka kushtuar procesi i votimit më 11 dhjetor nëpër përfaqësitë diplomatike konsullore. Sipas tyre, të dhënat e këtyre zgjedhjeve janë në fazë përpunimi por nuk japin as koston përfundimtare të organizimit të zgjedhjeve parlamentare jashtë vendit në vitin 2014. Nga 230 mijë votues që llogariten si qytetarë me punë dhe qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, vetëm 20 mijë u paraqitën për të votuar në diasporë, kurse votuan më pak se gjysma e tyre.

“Gjithsej numri i atyre që kanë votuar është 8232, do të thotë 40 % nga votuesit e paraqitur. D.m.th. ka pasur 20573 votues të paraqitur”, tha Arijeta Xhemaili, zëdhënëse e KSHZ-së.
Muaj më parë, KSHZ-ja bëri publike të dhënat e para për koston e organizimit të zgjedhjeve , ku thuhej se fillimisht diasporës i janë ndarë rreth 25 milion denarë ose rreth 400 mijë euro. Kjo shumë nuk përfshin transportin e materialeve zgjedhore, transportin dhe qëndrimin e këshillave zgjedhor dhe shpenzime të tjera. Sipas përllogaritjeve jozyrtare, organizimi i zgjedhjeve në diasporë dhe pagesa e tre deputetëve, vendit i kushton sa përzgjedhja dhe pagesa e 27 deputetëve vendas. Ish ambasadori Nano Ruzhin, vlerëson organizimi i zgjedhjeve në diasporë karakterizohet me mangësi dhe manipulime dhe sugjeron që kjo praktikë të lihet për një të ardhme kur vendi t’i plotësojë kushtet që ata qytetarë të mund të kthehen këtu për të jetuar.

“Me organizimin e zgjedhjeve në diasporë përballemi edhe me racionaliteti, edhe me iracionalitet, edhe me paaftësi për organizimin e zgjedhjeve të tilla, me koston e tyre por edhe me mundësi për manipulim. Mendoj se është iracionale të organizohen zgjedhje ku do të dalin më pak votues se në një fshat të vogël sepse kjo kushton shumë, diku mbi 3 milion euro. E dyta kjo është sinjal se diaspora e Maqedonisë është pak e organizuar dhe që është pak e interesuar për ngjarjet në vend, ndoshta ekziston ndonjë zhgënjim”, deklaroi Nano Ruzhin, ish ambasador.

Në diasporë kishte gjithsej 46 vendvotime dhe 325 anëtarë të këshillave zgjedhor. Në zgjedhjet e vitit 2011, shpenzimet e zgjedhjeve në përfaqësitë diplomatike kanë kapur shifrën prej 1.5 milion eurosh./Alsat-M