Duhani nuk është vetëm shprehi, por edhe varësi. Të gjithë që konsumojnë duhan të paktën një herë kanë menduar për atë se si duhet të heqin dorë nga ky ves, por të rrallë janë ata që me të vërtetë e ndërpresin duhanin dhe kurrë më nuk ndezin një cigare tjetër.

Megjithatë, ka shumë mënyra për ta hequr varësinë nga nikotina dhe të ruani shëndetin dhe, përveç kësaj, të kurseni edhe para.

Ekspertët japin disa këshilla të rëndësishme, të cilat çdo duhanpirës mund ta ndihmojnë që me forcën e vullnetit të fitojë mbi varësinë.

Nuk është aspak e lehtë të ndërpritet konsumimi i duhanit, pavarësisht asaj nëse jeni duhanpirës pasionant apo konsumoni më pak se 10 cigare në ditë. Nëse mendoni që ka ardhur koha që të hiqni dorë nga kjo shprehi e keqe, ta largoni aromën e pakëndshme të rrobave dhe të ruani shëndetin, atëherë merrni vendimin e prerë që të mos pini më duhan, transmeton Koha.net. Mendoni të gjitha arsyet pse nuk i doni cigaret, kujtoni aromën e rrobave tuaja për shkak të duhanit, sa kolliteni pas cigares së mëngjesit, por edhe sa shumë para shpenzoni gjatë vitit në “tym”.

Zgjidhni datën dhe gjuani cigaret, ndërsa nga hapësirat ku banoni largoni shpuzoret dhe çdo gjë që jua rikujton duhanin. Ekspertët këshillojnë që për këtë hap të vendosni kur jeni me humor të mirë.

Pasi që ditët e para janë më të vështirat, mundohuni që të mos mendoni në duhan. Mendoni për atë se si do ta ndihmoni trupin tuaj, por edhe të kurseni para. Çdo herë kur ju bie në mend duhani bëni çaj për vete, merrni bonbone mentoli dhe ndonjë frutë arrore.

Çdo herë kur jeni në krizë ose keni dëshirë për duhan, kujtoni situatat e rënda në jetë, të cilat i keni kaluar, i keni duruar dhe i keni mbijetuar me forcën e vullnetit.

Sa për kuriozitet, paratë që i ndani gjatë ditës për cigare – vërini mënjanë në një arkë apo kuti dhe në fund të muajit mund ta qerasni veten me rroba të reja, ndonjë aparat, cikërrimë apo diçka që pëlqeni më të vërtetë.

Për t’iu përmbajtur planit tuaj, çdo ditë kujtojani vetes që duke mos pirë duhan:

– zvogëloni rrezikun nga sëmundja e kancerit, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive;- zvogëloni rrezikun nga problemet me qarkullimin;- lëkurës tuaj ia ktheni shkëlqimin;- kujdeseni për shëndetin e të afërmve tuaj, veçanërisht të fëmijëve;- përmirësoni pamjen tuaj, por edhe kondicionin dhe frymëmarrjen;- ushqimi ka shije më të mirë;- kurseni para;- nuk ju vjen era tym duhani;- ruani dhëmbët;- shtëpia dhe automobili juaj janë të ajrosur e të freskuar.