Sot është dita e drurit në Maqedoni dhe janë planifikuar që të pyllëzohen 503,89 hektarë me 2.611.143 milionë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (PBPEU), njofton se aksioni do të zbatohet në 60 lokacione në 30 filiale (komuna kadastrale), ndërsa për pyllëzim do të shfrytëzohen lloje të ndryshme të drunjve.

Përderisa njoftohet për pyllëzimin, nuk tregohet shuma e mjeteve që do të shpenzohen për këtë projekt i cili zhvillohet që nga viti 2008.

Qytetarët nga ana tjetër  pyesin veten se ku shkojnë paratë e ndara nga mbjellja e drunjëve, pasi që sipas tyre ato para janë nga tatimet që ata paguajnë çdo ditë, andaj duan të dinë se sa mjete ndahen dhe si shpenzohen ato.

Ata shprehen të revoltuar se pse asnjëherë nuk jepen të dhëna të detajizuara se sa mjete janë harxhuar për këtë projekt i cili tani më disa vite zbatohet. Madje ata duan të dinë dhe sa ka efekt pozitiv ky projekt pasi që deri më tani mjaft drunj janë mbjellur, duan të dinë se si shkon mirëmbajtja dhe ruajtja e tyre.

“E dimë që ndahen shuma marramendëse për këtë projekt i cili me të vërtetë është i nevojshëm, por ama edhe ne duhet të dimë çdo detaj të harxhimeve se për këtë paguajmë ne”, tha Todor Najçevski, banor.

“Qeveria duhet të del me statistika, sa drunj janë mbjellur sa ka kushtuar një, sa kushton transporti i tyre, sa kushton transporti i atyre qe mbjellin dhe sa paguhen për këtë punë. Këto shifra duhet të jenë publike”, tha Rina Gashi, banore.

“Me miliona drunj janë mbjellur dhe prapë mbillen me miliona, nuk kam asgjë kundër vetëm ku po i qojnë këto drunj. A po kujdeset dikush për ato, a po i ruajnë edhe mirëmbajnë apo janë para të çuara kot”, shprehet Besim Nuhiu, banor.

Ndryshe, aksioni “Dita e drurit – mbille ardhmërinë tënde” filloi në vitin 2008 dhe në katër vitet e para, deri në vitin 2011, mbahej në dy sezone – pranverë dhe vjeshtë. Në pesë vitet e fundit, ndërkaq, pyllëzimi bëhet vetëm në vjeshtë.

Në 16 aksionet e deritanishme janë pyllëzuar pothuajse 13.000 hektarë me mbi 35 milionë fidane. Më i mirë ishte efekti në vitin 2009, kur në dy aksione në pothuajse 4.000 hektarë u mbollën mbi 7.900.000 fidane./portalb.mk