Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj përmes Facebook-ut i është drejtuar simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president të vendit.

Salihaj ka thënë se sonte, një njeri që i ka bëre kaq shumë keq LDK-së dhe Kosovës, një njeri, partia dhe strukturat e të cilit vranë njerëzit tanë me të devotshëm, atdhetarët tanë me të mirë, u zgjodh president me votat e deputetëve të LDK-së.

“TË DASHUR VOTUES TË LDK-SË
E di që sonte jeni të dëshpëruar me partinë,me të cilën jeni lidhur që nga koha e Presidentit Rugova,disa edhe me vonë, por të gjithë dhe gjithmonë me idealet e tij dhe tonat. Që nga vdekja e presidentit Rugova ne kemi kaluar nëpër sfida të rënda, kemi përjetuar shumë dëshpërim, sepse ata,të cilëve u besuam shumë, na zhgënjyen dhe na dëshpëruan.

Sonte, një njeri që i ka bëre kaq shumë keq LDK-së dhe Kosovës, një njeri,partia dhe strukturat e të cilit vranë njerëzit tanë me të devotshëm, atdhetarët tanë me të mirë,u zgjodh president me votat e deputetëve të LDK-së. E di që kjo ju ka dëshpëruar shumë. Sprovat e mëdha i qesin në pah vlerat dhe fytyrën e vërtetë të secilit njeri.

Por,mos harroni se çdo gjë e ka një fund. Dhe çdo fund e ka një fillim të ri.
Ne do të jemi se bashku,nuk do të dorëzohemi para këtyre sprovave,do të luftojmë me durim për idealet tona,për vlerat e mëdha që i ka lënë Presidenti ynë i dashur dhe i madh Ibrahim Rugova,do të luftojmë se bashku për një fillim të ri për të mirën e Kosoves.
Mos u dorëzoni, mos u dëshpëroni!

Presidenti Rugova ka thënë “Duhet pasur durim,të mirat vijnë pastaj”, ka shkruar Salihaj në Facebook.