Për nesër është caktuar në rend dite nga ora 12:00 të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë, me përbërje të re të deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet e 15 korrikut, njofton Telegrafi Maqedoni.

Për shkak të pandemisë, seanca do të mbahet në sallën ndihmëse në pjesën më të lartë të Kuvendit dhe jo në sallën “Maqedonia” pasi salla “kube” ka mundësi që të organizohet distanca dhe protokollet e dhëna nga Komisioni për sëmundje ngjitëse.

Këtë seancë do ta udhëheq Goran Misovski, nënkryetar i Kuvendit i cili e zëvendëson Talat Xhaferin i cili ka probleme me shëndetin.

Përndryshe, përbërja e re kuvendare është e përbërë me 46 deputetë të LSDM-së, 42 të OBRM-PDUKM-së, 15 të BDI-së, 12 të koalicionit ASH-AAA, 2 të “E majta” dhe një nga PDSH-ja.

Kuvendi është hapi paraprak për të krijuar qeverinë e cila sipas Kushtetutës duhet të ketë mbështetjen e më së paku të 61 deputetëve të shumicës parlamentare.

Për qeverinë e re të Maqedonisë, kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski dje nga Pelince tha “Ata duhet të jenë njerëz që nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë aferë me një të kaluar kriminale, pasi që sfida jonë më e rëndësishme që vjen është sundimi i së drejtës. Kjo vlen jo vetëm për eshalonin e parë, por edhe për atë të dytë dhe të tretë të funksionarëve”, theksoi Pendarovski.