Kolosët e fast fashion-it, si H&M dhe Zara kanë revolucionarizuar tërësisht mënyrën sesi po bëjmë shopping. Ne i dimë tendencat, njohim ngjyrat që janë në modë dhe ato që na shkojnë. Hyjmë nëpër ato dyqane të stërmëdha dhe zhytemi nëpër veshje, pa pasur një shitëse që të vjen vërdallë, duke të bërë atë pyetjen acaruese “të të ndihmoj?”.
Të gjitha vajzat që kanë dalë qoftë edhe një herë jashtë Shqipërisë, nuk besojmë se i kanë shpëtuar tundimit për të gjetur pikën më të afërt të H&M dhe Zara –s në qytet.
E megjithatë, kur gjendesh aty brenda, mes mijëra veshjesh të varura, mendon “phh, si s’po gjej asgjë të lezetshme?”. Ndërkaq, kur pyet atë shoqen tënde që di të vishet përherë aq bukur, se ku e ka marrë atë bluzën aq yll, përgjigjja është përherë “Te H&M ose te Zara”. Dhe ty të vjen aq inat. Vazhdon të rrotullohesh nëpër bluza e fustanë, që i sheh me buzë të përdredhura, duke menduar “Po unë pse nuk i shoh asnjëherë gjërat e lezetshme?”. Ndoshta aq shumë mundësi për të blerë , të ngatërrojnë më keq.

Për fat është Ashley Cook, një ish-shitëse e H&M, që mund të na qartësojë pak idetë. Në katër vite punë si shitëse në markën e famshme e të lirë, ka mësuar ca truke që të ndihmojnë se si të bësh shopping në mënyrë inteligjente dhe i ka listuar në 7 pika, në një artikull të botuar në popsugar.com. Një bibël e vërtetë shopping-u, për të na thjeshtuar jetën në botën e madhe të fast fashion e mbi të gjitha brenda dyqanit të stërmadh H&M. Herën tjetër kur të dilni jashtë Shqipërisë, do dini si të orientoheni brenda tij.

1. DO KESH PËRHERË ULJE KUR BLE NË H&M
Si? E thjeshtë. Mjafton të sjellësh në dyqan rroba që ti nuk i përdor më (4 ose 5) dhe përfiton ulje çmimi në blerjet e ardhshme. Kjo iniciativë ka lindur për të shmangur shpërdorimin e tekstileve. Me rikuperimin e copave të vjetrja, H&M prodhon të reja për Conscious Collection. Pra, të blesh me ulje dhe t’i bësh mirë planetit.

2. MOS KËRKO PËR MASËN TËNDE. NJË OSE DY NUMRA MË SHUMË
Nëse nuk ke hyrë kurr në ato skinny jeans që të pëlqejnë aq shumë, nuk është një sinjal që je shëndoshur këto orët e fundit, po sepse masat e H&M janë të vogla. Thjesht i bëjnë kështu, thotë Ashley dhe këshillon që të kërkosh gjithmonë një ose dy masa më shumë.

3. MENDO PËR ÇFARË KE NEVOJË DHE KËRKO NË VENDIN E DUHUR
“Veshjet tek H&M janë të ndarë sipas konceptit “, shpjegon Ashley. Ja cilat janë, ku gjenden dhe si t’i njohësh nga etiketa:
• Everyday: janë ato që gjen përballë, sapo hyn në dyqan. Janë veshje basic të përditshme dhe kanë etiketë të bardhë të shkruar H&M me të zezë.
• Trend: afër veshjeve basic gjenden ato më fashion, pra tendencat e fundit. Nuk gjenden në të gjitha dyqanet e H&M dhe kanë etiketë ngjyrë kremi.
• By Night: siç e thotë edhe emri, janë veshje mbrëmjeje. I njeh nga etiketa më ngjyrat ari dhe e zezë dhe ashtu si veshjet “Trend”, gjenden vetëm në dyqane të caktuara.
• Divided: linja më e re dhe e freskët e H&M, ajo për vajza (masat e kësaj linje janë edhe më të vogla). Veshjet e këtij koleksioni janë më të lira dhe më pak cilësore. Etiketa është e zezë dhe shkruan DIVIDED.
• Divided Grey: version më trendy dhe cool i linjës young nga H&M. Ka etiketë gri, në vend të së zezës dhe gjendet vetëm në disa dyqane.
• L.O.G.G: kjo është sigla e Level of Graded Goods dhe janë veshje të menduara për komoditet. Kanë etiketë prej cope, ku shkruhet LOGG.

4. PËR SHOPPING ONLINE, SHKO TEK FILTRAT
Me filtrin “Trend” mund të gjesh online veshje të momentit, që shpesh nuk gjenden nëpër dyqane. Për më tepër, disa nga veshjet më të veçanta që gjenden në faqe, shpesh janë të disponueshme dy ose tre javë më parë sesa të vijnë në dyqan (nëse vijnë).

5. SHOPPING-U ËSHTË ÇËSHTJE ORARESH
Nga ora 09.00 e deri në mesditë dyqani është më i pastër, i furnizuar me veshje të reja dhe më i rregullt. Kështu bën shopping më rehat dhe e gjen më lehtë atë që kërkon.

6. VESHJET BASIC? LUAJ PARA KOHE!

“H&M është meka e veshjeve basic. Por pikërisht për këtë, veshjet më të mira shiten me shpejtësinë e erës. Kjo është arsyeja që ti nuk gjejn asgjë të lezetshme”, thotë Ashley dhe këshillon që të mos presësh gjatë por të luash në avancë. Pra, bli në gusht për vjeshtë-dimër dhe në shkurt për pranverë-verë.

7. ERDHI KOHA E ULJEVE

Uljet tek H&M çojnë në krize edhe blerëset eksperte. Ja si t’i përballosh, sipas Ashley-t.
• Si fillim, mos harro të përdorësh pikën a, të veshjeve që nuk i përdor më.
• Kontrollo uljet çdo javë, sepse shumë artikuj riulen herë pas here.
• Nëse nuk gjen atë që kërkon, provo edhe në koleksionet e tjera. Shpesh e njëjta veshje klonohet edhe në linja të tjera.
• Shko gjithmonë tek linja Trend në fillim. Janë më të bukurat dhe kanë përherë 50% ulje.
Herën tjetër që do hysh në një dyqan H&M mos harro këshillat e Ashley-t!