Sektori joqeveritar shqetësohet për shkak të shkurtimit të mjeteve buxhetore për arsimin

Organizatat civile në vend e shprehin shqetësimin e tyre për zvogëlimin e financave në sektorin e arsimit me rebalancin e buxhetit të këtij viti. Arsimi është në vendin e tretë sipas shumës së shkurtimeve në rebalancin e buxhetit, njofton Meta.

Siç theksohet në deklaratën e 14 OShC-ve, më së shumti mjete janë shkurtuar në arsimin e lartë – 329 milion denarë, pastaj vijon toni “investime në arsim” – 218 milion denarë dhe toni arsimi fillor – 147 milion denarë. Byroja për zhvillim të arsimit parashikohet të marrë 18 milionë denarë më pak, me ç’rast pjesa më e madhe e fondeve shkurtohet nga toni “zhvillimi profesional i stafit arsimor në arsimin fillor dhe të mesëm”.

“Kush dhe si do të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies nëse mësimdhënësit nuk mbështeten për zhvillim plotësues profesional,” pyesin nga organizatat  jo qeveritare.

Vendi renditet në vendin e katërt nga fundi në listën e testimit ndërkombëtar PISA me të cilin maten aftësia për të përdorur njohuritë e nxënësve. Prindërit vetë i ngjyrosin ambientet e shkollës, ndërsa nxënësit grumbullojnë mjete për letër higjienike dhe sapun. Konviktet shtetërore të nxënësve në Shkup marrin vetëm 61 denarë për tre vakte për çdo student në ditë, thuhet në komunikatën e OSHC-ve.

Sektori joqeveritar thekson se me rebalancin e buxhetit shkurtohen fonde për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, të konvikteve për studentë dhe nxënës.

“Parashtrohet pyetja përse, nëse tashmë ka vend për ri-dedikim të fondeve nga “arsimi” në sektor tjetër, me ato mjete nuk mbyllen çështje të cilat na shqetësojnë me vite? Gjatë planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, do të ishte e dobishme që Qeveria dhe Parlamenti të marrin parasysh mendimet e personave të cilët çdo ditë dhe direkt janë të përfshirë në këto çështje”, theksojnë nga sektori joqeveritar.

Reagimi i OSHC-ve ndaj rebalancit të buxhetit mbështetet nga Forumi Rinor për Arsim, Fondacioni Shoqëria e hapur – Maqedoni, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut të Republikës së Maqedonisë, Organizata studentore në Fakultetin e drejtësisë “Justiniani I”, Shoqata “Federalistët e ri Evropian” Fondacioni  “Metamorfozis”, “Reaktor” – Hulumtimi në veprim, Shoqata qytetare “Romaverzitas”, Lidhja e vëzhguesve të Maqedonisë, Qendra për Dialog Ndërkulturor – Kumanovë, Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë, Lidhja e rinisë punëtore, “Hap pas Hapi” dhe HERA Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim.

SHPËRNDAJE