Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas takimit të realizuar me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, ka folur në lidhje me ftesën e Ali Ahmetit për takim të liderëve shqiptar. Ai tha se tryeza ka simbolikën e simbolikave të barabarta të të gjithë atyre që ulen dhe sipas Selës, ajo që deklaroi Ahemtit ishte nënvlerësuese ndaj vet instrumentit politik.

Sela ka shtuar se, në momentet më të rëndësishme kur ka qenë e nevojshme të ulet në tavolinë me liderët shqiptar kjo nuk ka ndodhur. Sela tha se tryeza politike ka për qëllim strategjinë politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në plane më afatgjate. Moment si ky ka qenë ndryshimi i Kushtetutës dhe nëse kjo do të funksiononte gjuha shqipe në Kushtetutë do të ishte gjuhë shqipe dhe jo gjuhë që e flasin 20% të popullësisë.

“Ne kishim një takim të zakonshëm me Gashin. Natyrisht që ne e çmojmë instrumentin politik që është tryeza e përbashkët e partive politike dhe si i tillë është i rëndësishëm. Ky instrument politik do të duhej të ishte i shtrenjtë dhe i çmueshëm për shqiptarët dhe jo pjesë e kalkulimeve politike të dikujt. Do të informoheni në lidhje me këtë çështje ditën e nesërme. Ne e respektojmë një instrument të tillë dhe nuk e llogarisim të mos bie objekt i rrjeteve sociale”, deklaroi Sela.

Në lidhje me deklaratën e Ahmetit ku ai i quan partitë e tjera politike të vogla, Sela theksoi:
“Aty shihet vogëlsi e vet. Aleanca për shqiptarët edhe Alternativa nuk mund të cilësohen me këto cilësim. E dëgjova që e pat këtë edhe në kontekstin e tryezës dhe më vjen keq që në pyetjen e drejtuar nga gazetarët ai nënvlerësoi edhe tryezën duke e quajtur si thirrje nën presion, nuk e di kush i ka bërë presion, në qoftë se e ka pasur fjalën për ndonjë parti tjetër të vogël nuk e di, do të duhet vet të prononcohet”, tha Sela pas takimit me Gashin.