Nën moton “Më ndryshe”, Koalicioni “Aleanca për shqiptarët” mbrëmë mbajti tubim parazgjedhor në Dibër ku e prezantoi platformën, si dhe pjesë të kandidatëve për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore dhe njësinë e pestë zgjedhore, shkruan MIA. 

“Angazhohemi për barazi të plotë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, shtet dygjuhësor, gjuha shqipe të jetë në përdorim në tërë territorin e shtetit, në institucione, në valutë, në komandë. Angazhohemi për ndarje të barabartë të buxhetit, për decentrallizim më cilësor, do t’i ndryshojmë ligjet dhe Kushtetutën. Do t’i zgjidhim rastet e montuara dhe në burg do t’i dërgojmë ata të cilët atje dërguan qytetarë të pafajshëm” porositi lideri i LR-PDSH, Zijadin Sela, i cili është bartës i listës së kandidatëve në njësinë e gjashtë zgjedhore, duke apeluar deri re dibranët të mos e japin votën për BDI-në sepse, siç tha, ajo është një votë e dhënë për VMRO-DPMNE-në.

Bartësi i listës në njsëinë e pesë zgjedhore, Surija Rashiti, e akuzoi BDI-në, për, siç tha, për shkatërrimin e sotëm në të cilën ndodhet Dibra.

“Dibrës dhe dibranëve u morën gjithçka, përveç shpirtit dhe zemërgjerësisë. Dibra tani është qytet i migrimit dhe varfërisë. Ne jemi të aftë t’i kthejmë dinjitetin Dibrës. Njëmbëdhjetë dhjetori është dita kur do të fillojë ta kthejmë dinjitetin jo vetëm dibranëve, por edhe të gjithë shiptarëve”, tha Rashiti.

Para bashkëqytetarëve të vet fjalim mbajti  edhe lideri i Unitetit, Gëzim Ostreni, i cili tha se është koha të rrëzohen nga pushteti VMRO-DOMNE dhe vazali i tij BDI, t’u thuhet mjaft dhe të “dërgohen në vendim më të izoluar në shoqëri”.

Kryetari i RDK-së, Vesel Memeti, ndërkaq, mes tjerash tha se është koha që shqiptarët të fillojnë të votojnë më ndryshe nga ciklet e mëparshme zgjedhore.

Para dibranëve folën edhe kandidatët për deputetë nga të dy njësitë zgjedhore.

Aleanca për shqiptarët tubim parazgjedhor pati edhe në Qendër Zhupë, e cila i takon njësisë së pestë zgjedhore.