Përmes një kumtese dërguar Telegrafit Maqedoni, LR-DSH-ja njofton se kreu i saj, Ziadin Sela, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Milan Jazbec.

Siç bëjnë të ditur nga kjo parti, ”në takim është biseduar për situatën pas zgjedhore në Maqedoni, me theks të veçantë ngërçin institucional të vendit, perspektivën euro-atlantike, rëndësinë e ndërtimit të stabilitetit afatgjatë të vendit përmes realizimit të drejtave të munguara të shqiptarëve dhe tema të tjera politike.

Ziadin Sela ka theksuar se zbatimi i plotë i Deklaratës së partive politike shqiptare dhe sidomos rekomandimeve të KE-së dhe Raportit të Pribesë do të sjellin ndryshime pozitive për vendin dhe qytetarët e saj.

Për funksionim të mirëfilltë dhe të drejtë të institucioneve të shtetit, është esenciale respektimi i vlerave demokratike dhe ndërtimi i një të ardhme mbi këto vlera. Vendi jonë do të jetë i përgatitur për inkuadrim në familjen e gjerë evropiane atëherë kur do të respektojë dhe trajtojë si të barabartë të gjithë etnitetet që jetojnë brenda saj.

Sela gjithashtu ka theksuar rëndësinë e dekriminalizimit të skenës politike dhe shoqërisë si parakusht i një zhvillimi të shëndosh shoqëror dhe të gjithmbarshëm”, thuhet mes tjerash në kumtesën e LR-PDSH-së.