Ndonëse u paraqit vet në gjykatë për tu përgjigjur, Fetah Alimi po mbush 30 ditë paraburgime në Shutkë.
Në fillim të dhjetorit, Gjykata Penale i shqiptoi këtë masë në dyshimin se Fetai nuk ka qenë në krye të detyrës gjatë ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvend. Se a do të vazhdohet paraburgimi për Feta Alimin, avokatja Artene Iseni tha se nuk pritet që vendimi i Gjykatës të jetë në favor të “Heroit të Selës”.

Edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela thotë se ish-polici në fjalë po mbahet padrejtësisht në paraburgim. Sela tha se fajin e vetëm që ka bërë Fetai më 27 prill, është se ia shpëtoi jetën atij. Sipas tij, figura e Fetait është përdorur për ta goditur Selën politikisht.

“Fetai nuk ka asnjë shkak për tu mbajtur në paraburgim. Ai ka ardhur nga Zvicra për tu përgjigjur lidhur me akuzat që i bëhen. Fetai nuk i fshihet organeve të drejtësisë dhe si i tillë duhet të jetë i lirë dhe jo të mbahet në paraburgim, sepse prandaj ka ardhur nga Zvicra për tu përgjigjur. Nëqoftëse se duhet patjetër të përzihet edhe një shqiptarë në mesin e të gjithë të akuzuarve të tjerë, atëherë kësaj përsëri i thonë proces i montuar politik dhe nuk i thonë drejtësi. Drejtësia është e drejtë kur është e tëra dhe jo gjysmake e me tendenca”, u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (03.01.2018).

Para festave të fundvitit, Gjykata Penale iu vazhdoi paraburgimin edhe për 30 ditë të reja deputetëve Krsto Mukovski, Sashe Vasilevski dhe Luben Arnaudov, ish-ministrit të brendshëm dhe ish-drejtorit të DSK-së Mitko Çavkov, organizatorëve të protestës “Për Maqedoni të përbashkët” Igor Durlovski, Boris Damovski, Bogdan Ilievski dhe 6 personave tjerë të dyshuar për dhunë në Kuvend.

Gjatë kësaj jave Gjykata e Apelit në Shkup në një seancë publike pritet të debatojë për ankesat e të dyshuarve për ngjarjet në Kuvend më 27 prill, se a duhet t’iu vazhdohet masa e paraburgimit. Para festave, ankesat e të dyshuarve Apeli i dërgoi në shqyrtim tek Prokuroria e lartë publike, të cilat arritën deri atëherë, në mesin e të cilëve ishin edhe ankesat e katër deputetëve.

Në mesin e të ankuarve ndaj vazhdimit të masës së paraburgimit është edhe ish-shefi i sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Oliver Popovski nga Drejtoria e gjashtë e MPB-së, nën urdhrat e të cilit, më 27 prill ishte edhe i dyshuari Fetah Alimi.