Aleanca për Shqiptarët do të bëj çdo veprim të mundshëm, në mënyrë që ta detyrojnë Qeverinë të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu deklaroi kreu i ASh-së, Ziadin Sela. Sipas tij opozita me të drejtë është aty për të bërë gjithçka që të bie Qeveria, e sidomos kur bëhet fjalë për shumicë parlamentare që nuk ka, siç thotë ai, asnjë lloj legjitimiteti.

“Kjo shumicë e re nuk ka asnjë lloj legjitimiteti, atëherë cila është zgjidhja? Legjitimiteti fitohet nga qytetarët, prandaj duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ne nuk ikim në asnjë moment dhe kurdo që të mbahen ne jemi këtu që së bashku me qytetarët të sjellim ndryshimin tek blloku shqiptarë”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së

Por nëse eventualisht mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, a do të bëjë ASH koalicion Besën apo do të shkon e vetme? Sela tha se si ASh kanë marrë mësimin nga koalicioni i kaluar dhe për këtë do të kenë kujdes në hapat e ardhshëm.

“I kemi marrë mësimet e mjaftueshme nga sjellja politike e aktorëve politik të cilët kemi pasur koalicion dhe do të sillemi konform këtyre leksioneve të cilët ne i kemi marrë. Unë do të përgjigjem me një pyetje, sa do të jemi të besueshëm ne në momentin që bëjmë një koalicion tjetër dhe njerëzit nuk do ta shohin me skepticizëm, duke thënë prit se nesër mund të lëviz prap dikush tjetër. E këto përgjigjet duhet t’ jap Alternativa dhe Afrim Gashi. Prandaj një është e sigurt, koalicion me qytetarin , për tjerat do të informohen në momentin ku do ta vlerësojmë se si do të sillemi politikisht”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së

Kreu i integristëve, Ali Ahmeti vlerëson se nuk kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme, pasi vendi duhet të zgjidh problemet me të cilat përballet aktualisht, duke përfshirë këtu kontestin me Bullgarinë.

“Mendoj se në këtë kohë vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ka nevojë që të zgjidh problemet me të cilat po përballet. Në këtë rast do të doja të theksoj nëse duam që të kemi situatë stabile, të qëndrueshme, të avancueshme në drejtim të proceseve euroatlantike, nevojë e domosdoshme është që të zgjidhet kontesti apo dallimet që i kemi me palën ndërkombëtare lidhur me marrëveshjen për fqinjësi të mirë“, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Edhe nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE vazhdimisht kërkojnë të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare duke theksuar se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet.