Sela: Mundësia e vetme për dalje nga kriza është rruga institucionale

Me eurokomisarin Han u pajtuam se mundësia e vetme që të dilet nga kriza është rruga institucionale, e jo rruga e institucioneve, deklaroi lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, pas takimit me eurokomisarin për zgjerim dhe politikë fqinjësore Johanes Han në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
“Mendoj se kësaj shoqërie i duhet debat, e jo gënjeshtra dhe dezinformata, e as të kthehemi në të kaluarën dhe të servojmë deklarata sikur të ishin bërë sot. Për mua asgjë nuk është e ndaluar që të debatohet në Kuvend, të diskutohet dhe së bashku të sjellin vendime për ardhmërinë e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë ata të cilët janë kundër kësaj forme janë anarkistë të cilët e rrezikojnë qetësinë dhe jetën e çdo qytetari”, tha Sela.
I pyetur nëse nga eurokomisari Han dhe nga eurodeputetët ka pasur sugjerime në atë drejtim që të lëvizin në zgjidhjen e problemit, Sela tha se iu është sugjeruar t’u përmbahen institucioneve dhe sa më shpejtë të formohet qeveri, që vendi të vazhdojë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.
Për presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, Sela tha se në lidhje me mandatin nuk ka të drejtë në qëndrim personal.
“Presidenti i shtetit nuk ka të drejtë në mendim personal, por vetëm ta zbatojë Kushtetutën. Ivanov mund të ketë jo vetëm një, por qindra qëndrime personale. Si president i shtetit ai nuk ka të drejtë në qëndrim personal për mandatin, por është i obliguar t’ia japë atij që do të sigurojë shumicë prej të paktën 61 deputetëve. Mendoj se duhet të përfundojë Seanca konstituive e Kuvendit, të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe pastaj të informohet presidenti Ivanov se ka shumicë. Pastaj mund të presë 10 ditë për të dhënë mendim pozitiv. Sipas Kushtetutës nuk ka të drejtë të mos e japë mandatin dhe pas 10 ditësh lirshëm mund të votohet për qeveri dhe nëse dikush ka diçka kundër mund të drejtohet deri te Gjykata Kushtetuese dhe kjo Gjykatë të vendos”, saktëson Sela.
Theksoi se si shoqëri nuk guxon të mos i lejojë cilit do të punojë kundër Kushtetutës.
“Nëse presidenti punon kundër Kushtetutës duhet të përgjigjet njëjtë si çdo deputet, ministër…”, tha Sela.
I pyetur nëse eurokomisari ka paralajmëruar mundësi për sanksione, Sela tha se Aleanca për Shqiptarët nuk është pjesë e atyre që e thellojnë krizën dhe prandaj nuk ka nevojë që Han të flasë me të për sanksione.
“Nuk shoh arsye pse Han do të fliste me ne për sanksione, besoj se duhet të flasë për sanksione me ata që çdo ditë punojnë që të kemi krizë. Kërkova nga Han që BE-ja në asnjë mënyrë të mos i largojë duart nga Maqedonia sepse rruga e vetme e mirë për ne është rruga drejt BE-së dhe NATO-s”, theksoi Sela.