Aleanca për Shqiptarët kërkoi mbështetjen e shkupjanëve në tubimin e mbajtur sonte në Sheshin Skënderbeu. Bartësi në njësinë e pestë zgjedhore, Syrija Rashiti, tha se përmbushja e kërkesave të shqiptarëve nuk varet nga vullneti i Zaevit dhe Gruevskit, kurse siç tha ai, Aleanca për Shqiptarët është shpresë për një jetë më të mirë. Aleanca për Shqiptarët synon ta bëjë Shkupin përsëri qendër të politikbërjes shqiptare, deklaroi Vesel Memedi. Ndërkaq, kryetari i LR PDSH-së, Ziadin Sela, tha se Aleanca për Shqiptarët tanimë ka shënuar një fitore të madhe.

“A ju kujtohet në 2014 vëllezër dhe motra, se cili ishte debati politik? Kush më i pari do ti përulet Nikolla Gruevskit. Njëri me shumicë për të hyrë në qeveri, tjetri me një deputet për të hyrë në qeveri. Dhe a e dini se cila është fitorja jonë kësaj radhe? I kemi detyruar edhe servilët dhe puthadorët që mos të flasin për kërkesë më, por të flasim për kushte”, tha Sela.