Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka shpalosur detaje nga ngërçi rreth ligjit për shtetësi. Ai tha se Qeveria kundërshton propozimin e tyre që aplikuesit përveç gjuhës maqedonase, të kenë mundësi që të fitojnë shtetësinë edhe me gjuhën shqipe.

Në këto bisedime, Sela tha se nuk ka mbështetjen e partive shqiptare në Qeveri.

“Fatkeqësisht partnerët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë, të paktën nuk e kundërshtojnë kryeministrin kur unë bëj betejë për gjuhën, te ai neni 7, pika e gjashtë të Ligjit për nënshtetësi në të cilën tani thotë se aplikuesit që e marrin me natyralizim shtetësinë do të duhet ta njohin gjuhën maqedone.

Neve kemi propozuar që ta njohin njërën nga gjuhët zyrtare. Tani e fundit kemi dërguar një definicion tjetër, të njohni gjuhën maqedonase ose gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve në kllapa gjuhën shqipe.

Dhe fatkeqësisht ne si opozitë shqiptare kemi ngelë vetëm dhe një moment ju kam thënë urdhëroni bëni dhe ju punën tuaj”, deklaroi Sela.