Pas 12 dhjetorit shqiptarët do të zyrtarizojnë vet gjuhën shqipe dhe për këtë nuk do ta pyesin as VMRO-në dhe as LSDM-në, tha kryetari i Lëvizjes për Reforma PDSH gjatë tubimit me banorët e Hasanbegut.

Ziadin Sela shtoi se interesi i tyre është eliminimi i çdo turpi që partia shqiptare në pushtet ua ka bërë votuesve të tyre gjatë gjithë këtyre viteve. Sela para banorëve shpalosi edhe platformën e kësaj partie me të cilën ai pretendon të fitojë besimin në këto zgjedhje.

“Jemi të interesuar që ta ndalim çdo turp që ka lejuar BDI-ja gjithë këto vite dhe u ka dhënë të drejtën që për gjuhën shqipe të flasin VMRO-ja dhe LSDM-ja. Gjuhën shqipe do ta bëjnë zyrtare vet shqiptarët dhe s’do të pyesim as Nikolla Gruevski e as Zoran Zaev dhe ne menjëherë me 12 dhjetorë do nisim procesin e barabarësisë së shqiptarëve këtu në Maqedoni”, tha lideri i LR PDSH-së, Ziadin Sela.