“Më mirë të mos kemi fare gjykatës e prokurorë, se sa të njëjtit t’i kemi të korruptuar”, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, duke vlerësuar se në Maqedoninë e Veriut patjetër duhet të zbatohet procesi i “vetingut” me qëllim që të pastrohet sistemi nga funksionarët e korruptuar, raporton Portalb.mk.

“Vetingu nuk është çështje që duhet pyetur a duhet të ketë ose jo, duhet patjetër të bëhet për t’u pastruar dhe të dalin jashtë sistemit njerëzit të cilët janë të korruptuar dhe ata të cilët ua kanë bërë skëterrë dhe i kanë bërë të vuajnë me dhjetëra dhe qindra familje”, tha Sela, sot në takim me gazetarë.

Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, se nëse bëhet veting do të mbetemi pa prokurorë e gjykatës, Sela thotë se me atë kryeministri e pranon se janë të korruptuar dhe në këtë rast më mirë të mos i kemi fare.

“Ne e përkrahim vetingun, për mua është aspak e pranueshme deklarata e kryeministrit se nëse bëjmë veting do të mbetemi pa gjykatës e prokurorë, me fjalë të tjera ai pranon se një pjesë të madhe të prokurorëve dhe gjykatësve i kemi të korruptuar. Unë për vete më mirë do të kisha pranuar që fëmijët e të mos kenë gjykatës e prokurorë se sa të gjykohen nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Në momentin që flasim, ne themi që u zgjodh rasti “Sopoti”, që doli se ishte i montuar politikisht. Edhe pse të akuzuarit kanë dalë nga burgu dhe kanë marrë dëmshpërblim, rasti nuk është zgjidhur, për ne rasti nuk është zgjidhur sepse inspektori që ia ka vendosur pistoletën në kokë njeriut që të japë dëshmi të rrejshme, prokurori që ka pranuar dëshmi të rrejshme dhe gjykatësi që ka gjykuar në bazë të dëshmisë së rrejshme ende janë brenda sistemit, ato nuk kanë asnjë përgjegjësi dhe nesër do të marrin të drejtën që përsëri t’ia vendosin dikujt pistoletën në kokë që të japë dëshmi të rrejshme dhe do të montohet rasti tjetër politik”, shtoi Sela.

Kryetari i ASH-së, gjithashtu e komentoi edhe iniciativën e BDI-së për veting, që sipas tij, është vetëm për poentim politik.

“E përkrahim si ide, do ta përkrahim nëse ka ndonjë iniciativë, mund të bëjmë iniciativë edhe ne vetë, por kam shqetësimin se BDI e përdor vetëm për poentim politik ditor dhe asgjë tjetër, për të dëshmuar se ja sa dashkan drejtësi dhe në momentin kur nis ndonjë procedurë për ndonjë funksionar të tyre, siç ishte rasti i sekretarit shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike, menjëherë ishte deklarata e tyre se nuk duhet të jetë drejtësia selektive. Saherë që dikush prej tyre akuzohet drejtësia është selektive”, tha Sela.

“Vetingu” është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i “vetingut” mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e “vetingut”.