Pjesëtarë të parlamentit iranian, e kanë gjetur veten nën kritika për sjellje të çuditshme, në një situatë në të cilën përfshihet kryediplomatja e bashkimit evropian Federika Mogherini. Ajo ndodhej në Iran për inaugurimin e presidentit Hassan Rouhani, të shtunën, kur e gjeti veten në qendër të vëmendjes në sallën e parlamentit. Në disa foto të hedhura online, shihet Mogherini e rrethuar nga një numër deputetësh, meshkuj, që bënin foto me të.

Shumë përdorues të mediave sociale kritikuan deputetët, duke qeshur me ta, apo edhe duke i cilësuar veprimet e tyre, poshtëruese. Agjencia e lajmeve Fars, postoi një foto në të cilën shumë përdorues të mediave sociale tregonin Mogherinin të patrazuar dhe e cilësonin sjelljen e deputetëve, të papërshtatshme. Një deputet, Alireza Salimi, e quajti sjelljen vetëdorëzim para perëndimit dhe tha se një komision për etikën e deputetëve duhet të hetojë incidentin ndërkohë që deputetë të tjerë u ankuan se selfiet ishin një mungesë respekti për Parlamentin.

Sidoqoftë, përdoruesit e mediave sociale ishin më të hapur se vetë deputetët kritikë dhe postonin në twitter imazhe nga skenat e filmit Malena, ku një turmë njerëzish turreshin për t’i ndezur aktores Monica Belluci një cigare. Një tjetër, kishte përdorur për të përshkruar situatën një imazh nga filmi ikonë i Walt Disney, borëbardha dhe shtatë xhuxhët.

Ahmad Mazani, një nga deputetët në fotot e shumëdiskutuara, kish shkruar në tuiter se ligjvënësit ishin ndaluar të ndërvepronin me të ftuarit specialë gjatë ceremonisë duke justifikuar nxitimin për të bërë një foto me Mogherinin në përfundim. Por, sidoqoftë, kishte në twitter edhe nga ata përdorues që thonin se deputetët, me këtë sjellje, kishin turpëruar Iranin.