Lulzim Selimi

Ngritja e pamerituar e një individi, në një sistem të çfarëdolloji qoftë ai shkakton destabilizimin e atij sistemi.
Ngritjet e pamerituara të individëve të caktuar ndodhin si pasojë e mosndërtimit të mirëfillt të një sistemi, nga persona të caktuar, që keqpërdorin forcën e tyre brenda një sistemi.
Por, në asnjë sistem tjetër nuk rezulton më fatal sesa rezulton në politikë “përkëdhelja” e individëve të padëshmuar si individ me vlera njerëzore.

Nëse i referohemi të dhënave historike do të hasim shumë ndodhi që kanë qenë fatale, për një popull të tërë si pasojë e “përkëdheljes” së një individi të caktuar nga një sistemi i caktuar, që mbizotronte në kohën kur ai u ngjit nëpër pozita të rëndësishme pa ndonjë meritë.

Rastin më të freskët dhe të afërt shqiptarët e kanë figurën e errët të Enver Hoxhës, qe me vizionin e tij, të errët dhe të egër dërgoi në humnerë për katërdhjetë vite një komb të tërë.

Enver Hoxha si fëmijë ishte i përkëdhelur nga xhaxhai i tij. Më pas vijoi përkëdhelja institucionale e Enver Hoxhës nga sistemi shtetëror. Duke i ndarë atij bursën e pamerituar, gjë e cila u vërtetua me rezultatet e dobëta si student, madje atij iu ndërpre bursa shtetërore.
Nëse marrim parasysh notat e larta të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe notat e dobëta në Francë do të shohim edhe më qartë se ai përgjatë shkollimit në Shqipëri ishte i përkdhelur dhe i avansuar nga e njejta forcë.

Pas dështimit të tij si student në Francë, ai nëpërmjet forcave të njejta arriti që të punësohen si sekretar i Konsullatës së Shqipërisë në Bruksel.

Përkëdhelja vazhdoi derisa Enver Hoxha u ngrit në majen e grupit të komunistëve, pa qenë ndonjëherë komunist i vërtetë. Si rezultat i gjithë kësaj, ai u ngrit në majen më të lartë të hierarkisë shtetërore.

Pas marrjes absolute të pushtetit, ai, Enver Hoxha filloi eliminimin politik dhe fizik të gjithë atyre që mendonin ndryshe nga ai. Ndër këta eliminime makabre ishte edhe eliminimi i Bahri Omarit, kunatit të tij, njeriu që i ndihmoi më shumti në kohën kur Enver Hoxha kishte më së shumti nevojë.

Ngritja e individëve të padëshmuar nëpërmjet “përkëdhjeljes” ka rezultuar fatal për shumë gjenerata.

Andaj dëshmi më të madhe se sa e gjithë kjo nuk mund që të ketë, sa i përket avancimeve të pamerituara nëpër sisteme, ku gjasat janë maksimale për të rezultuara si fatale për një komb të tërë.

Se sa janë të kujdesshme partitë politike shqiptare me praktikimin dhe mospraktikimin e këtij modeli do të dëshmojë, faktori kohë.