Lulzim Selimi

Në të shumtën e rrasteve, mashtrimet ndodhin si rezultat i krijimit të një iluzioni.
Iluzion i cili përdoret si mekanizëm për arritjen e qëllimit nga krijuesi i atij iluzioni! Kush më shpejt dhe më lehtë se sa një i ri mund të mashtrohet?

Njëra nga mashtrimet e shumta iluzionare që u servohet të rinjëve në kohën që po jetojmë është fitimi i një shume të majme parashë, për një kohë të shkurtër dhe të palodhëshme!

Një iluzion i cili është vetëm një hallkë në zinxhirin e këtyre mashtrimeve quhet “lojrat e fatit”. Që ironia të jetë edhe më e madhe ky lloj mashtrimi është i legalizuar nga vetë sistemi shtetëror!

Një investigim i mirfilltë dhe i sinqertë do të nxirte në pah fajtorin kryesorë të përhapjes me shpejtësinë e dritës të këtij mashtrimit.

Nëse i rreferohemi të kaluarës dhe aktualitetit, faktet përveçse janë shqetësuese, e trishtuese ata njëkohsisht janë edhe alarmante!

Shembull konkret marim qytetin e Tetovës.
Jo më larg se para njëzet vitesh në qytetin e Tetovës nuk ekzistonin më tepër se dy kazino, dhe një bastore. Ndërkaq sot kemi diku më tepër se njëzetegjashtë kazino, dhe që të gjitha me orarë pune 24/7, si dhe qindra bastore.
Fakt trishtues…

Kush lejon që ky fenomen negativ të përhapet kaq shpejt? Kush mba përgjegjësi për shkatërrimin e rinisë sonë? Cilat janë pasojat që rrjedhin si pasojë e kësaj sëmundjeje?

Nëse u drejtohemi autoriteteve përgjegjëse, ata gjithmonë justifikohen duke marë shembull shtetet e zhvilluara, me pretekstin se edhe atje janë të legalizuara kësi lloj mashtrimesh.
Deri këtu kanë të drejtë. Por nëse thellohemi dhe vështrojmë sistemet e shteteve të zhvilluara do të kapim disa detaje tepër të rëndësishme. Njëra nga ato detaje është ngritja e Qendrave të Rehabilitimit, të cilat meren enkas me rehabilitimin e personave të prekur nga ky fenomen dhe tashmë kanë krijuar varshmëri po nga i njejti. Ku, përveç tjerash, ata tanimë përbëjn rrezik edhe për pjesën tjetër të shoqërisë.
Nëse i referohemi vendit më demokratik në botë, njëkohësisht vendit me më shumë kazino, pra SHBA-së, do të hasim në një të drejtë elementare të popullatës vendore, e cila nëpërmjet votës së lirë vendos nëse ata dëshirojnë ose jo, që në qytetin e tyre të hapet ndonjë qendër e re me lojra të fatit.
Në të shumtën e rrasteve banorët e SHBA-ve votojn kundër hapjes së qendrave të reja për lojra të fatit.
Si rezultat i gjithë kësaj, andej vazhdimishtë po bëhet një luftë mediatiko-propagandistike mes organizatave joqeveritare dhe oligarkëve që janë edhe pronarë të kazinove më të mëdha në SHBA.

Pë një çast ti kthehemi shtetit tonë dhe të shohim se si qëndrojmë.

Kush kënd e pyet në këtë shtet nëse populli dëshiron diçka ose jo?
Pavarsisht pasojave, ata(politikanët), me forcën e tyre vendimmarëse brenda shtetit, krijojnë ligje duke ndërtuar funskionimin e sistemit shtetëror në favor të përfitimeve të tyre materiale, e në kurriz të popullit.
Njëra nga këto vendime është lejimi i hapjeve të qindra qendrave iluzionare që destabilizojnë shoqërinë, e në anën tjetër asnjë qendër e cila stabilizon të njejtën.
Sa individ janë të prekur tek ne nga ky fenomen dhe sa Qendra Rehabilitimi kemi në dispozicion për të ndihmuar personat e prekur nga ky trazim shpirtëror? Zero!
Nëse dëshirojm që të nxjerrim në pah arsyen reale përse lejohet investimi në këtë fenomen negativ dhe nuk investohet në qendra rehabilituese duhet cekur vetëm një detaj përcaktues, e ajo është taksa shtetërore e cila paguhet nga kazinot dhe bastoret, ndërkaq qendrat rehabilituese vetëm “zbrazin” një përqindje të vogël të arkës shtetërore.

Se kush përfiton nga ky mashtrim legal, tanimë dihet, se kush pëson nga ky mashtrim gjithashtu dihet, por se sa do të dëmton të ardhmen tonë si popull ky lloj mashtrimi ngelet që të shihet…

Si shoqëri, ose kemi dezertuar nga lufta për mbrojtjen e interesave kolektive ose tanimë jemi dorëzuar përpara çdo sfide, ku si rezultat i gjithë kësaj është nënshtrimi ynë kolektiv me pasoja kolektive.