Një studim i ri ka zbuluar se fëmijët e lindur të parët në një familje janë më të rrezikuar nga disa sëmundje. Ata bien më shpejtë pre e disa gjendjeve të pashëndetshme, që mund të shkurtojnë jetëgjatësinë.

Nga obeziteti deri tek tensioni i lartë i gjakut, të qenit fëmija më i madh nuk ka gjithmonë avantazhe, ka zbuluar studimi.

Edhe pse fëmijët e parë kanë të gjithë vëmendjen dhe përkujdesjen e prindërve, ata bien shpesh pre e sëmundjeve.
Studimi më i madhi i këtij lloji është bazuar tek të dhëna shëndetësore të gati 400 mijë norvegjezëve përgjatë çerek shekulli.

Autorja kryesore e studimit, prof. Sandra Black tek Universiteti i Teksasit, në Austin, thotë se fëmijët e parë janë më pak të shëndetshëm sa u përket treguesve shëndetësor, si tensioni i gjakut, trigliceridet, treguesit e mbipeshës dhe obezitetit.

“Për shembull, krahasuar me fëmijët e pestë, fëmijët e parë janë rreth 5% më të rrezikuar që të jenë obezë dhe 7% që të kenë tension të lartë të gjakut. Kështu, ndryshe nga edukimi apo të ardhurat, nuk ka ndonjë avantazh shëndetësor se jeni fëmija e parë.

Gjithsesi, fëmijët më të mëdhenj kanë 13% më pak gjasa që të pinë duhan se fëmijët më të vegjël dhe nga ana fizike dhe mendore janë më mirë.

Studimi ka zbuluar se probabiliteti që të kesh tension të lartë të gjakut ulet sipas radhës së fëmijëve. Fëmijët e dytë kanë 3% më pak se fëmijët e parë që të kenë tension të lartë të gjakut, ndërsa fëmijët e pestë kanë 7% më pak rrezik.

Fëmijët e parë gjithashtu kanë nivele më të larta të triglicerideve- një formë e yndyrave e prodhuar nga mëlçia- krahasuar me fëmijët e dytë ose të tretë.

Fëmijët e parë janë zakonisht më të gjatë dhe më të rrezikuar që të bëhen mbipeshë ose obezë.

Krahasuar me fëmijët e dytë, të parët kanë 4% më shumë gjasa të bëhen mbipeshë dhe 2% të bëhen obezë.