Shkruan: Qazim NAMANI

Nga të dhënat e trashëguara në kujtesën e popullit për serbizimin e shqiptarëve, dhe hulumtimet në terren më shtyn që këto ditë të realizojë një bisedë me një serb nga Prishtina. Serbi i lindur në Prishtinë dëshmoi se gjyshi i tij kishte qenë shqiptar i besimit katolik nga një fshat i Drenicës.

Në kohën e pushtimit të Kosovës nga serbët dhe bullgarët në vitin 1912 dhe pas një vrasje që kishte ndodhur, gjyshi i tij ishte larguar nga fshati dhe ishte vendosur në Mitrovicë. Një vëlla i gjyshit të tij kishte mbetur për të jetuar në fshatë dhe me të ishin shkëputur të gjitha lidhjet.

Për ti shpëtuar vrasjes gjyshi i tij së bashku me disa shqiptarë të tjerë ishte strehuar në kishën ortodokse të Mitrovicës. Autoritetet fetare në kishën ortodokse shqiptarëve ju kishin ndërruar emrat dhe identitetin fetar dhe kombëtar.

Gjyshi i tij e kishte marr mbiemrin serb dhe nga besimi katolik kishte kaluar në besimin ortodoks. Me identitet të ri kishte vazhduar të punojë si murator i gurit në ndërtimin e shtëpive në fshatrat e Kosovës. Duke punuar si murator në një fshat në komunën e Gjilanit ishte njohur me një vajzë me të cilën ishte martuar.

Familja e gruas së tij më parë kishin qenë arnaut. Pasi martohet me gruan e tij kthehet për të jetuar në Mitrovicë. Sipas dëshmisë së serbit me të cilin bisedoja edhe serbët e sotëm të disa fshatrave të komunës së Gjilanit në atë kohë kishin qenë shqiptar (arnaut).

Gjyshi i tij i kishte pasur dy djem dhe më vonë ishte shpërngulur për të jetuar në Prishtinë. Bashkëbiseduesi kishte qenë 7 vjeçar kur gjyshi i tij kishte vdekur në vitin 1960.

Ai thotë se gruaja e bashkëbiseduesit kishte lindur në fshatin Korishë komuna e Prizrenit dhe ishte arnaute e fisit të kabashëve. Babai i saj ishte serbizuar, një axhë i saj kishte shkuar për të jetuar në Shqipëri ndërsa dy axhallarët tjerë ishin shpërngulur në Maqedoni.

Edhe baba i gruas së tij i kishte shkëputur lidhjet me vëllezërit e tij.
Gjithashtu, ai dëshmon se të gjithë serbët që kanë jetuar para vitit 1912 në Prishtinë më parë kanë qenë shqiptar e të cilët janë serbizuar në fund të shekullit XIX e sidomos pas vitit 1912. Pjesa dërmuese e serbëve në lagjen së tij deri në vitin 1968 në shtëpitë e tyre e kanë folur gjuhën shqipe.

Ai mban mend se në shtëpi kanë folur shqip ndërsa në qytet kanë folur gjuhën serbe dhe turke dhe se babai dhe nëna e tij më mirë kanë folur gjuhën shqipe dhe turke se sa serbe.

Ai i përmend me emra një serb Kosta dhe nënën e tij kur vinin në kishë nuk dinin serbisht ata shumë vonë e kanë mësuar gjuhen serbe. Edhe Llaziqët tregon se kanë folur shqip.

I pyetur për lagjet serbe në Prishtinë ai tregon se disa herë gjatë festave në kishën ortodokse të Prishtinës e kishte dëgjuar një Lubën nga Kolovica duke pohuar se më parë të gjithë banorët e Kolovicës dhe Sofalisë kishin qenë Arnaut por me kohë ishin serbizuar. Arnaut kanë qenë edhe serbët në fshatin Grace në komunën e Vushtrrisë pohon ai.

Ai kishte informata se edhe një familje serbe që kishte jetuar deri vonë në fshatin Koliq të komunës së Prishtinës më parë kishte qenë shqiptare. Ai pohon se serb më parë nuk kishte pasur as në Graqanicë, Lipjanë dhe shumë vende tjera të Kosovës por këto lokalitete ishin serbizuar duke sjellë serb në tokat e shqiptarëve pas vitit 1912.

Bashkëbiseduesi thotë se edhe në Kragujevc dhe qytete tjera të Serbisë jetojnë shumë serb që kanë origjinë shqiptare por frikohen që ta tregojnë identitetin e vërtet të tyre. Në Kragujevc thotë ai ka takuar një serb të lindur në fshatin Kosh nga rajoni i Pejës i cili i kishte folur se kishte prejardhje shqiptare.

Prejardhje shqiptare kishin pasur edhe serbët ne fshatin Vitomiricë. Po ashtu, ai thotë se serbët e Prizrenit janë vlleh dhe e flisnin gjuhën e vjetër vllahe.

Serbi me të cilin u zhvillua biseda thotë se nuk e ndien veten serb, por për shkaqe sigurie nuk pranon që të deklarohet hapur në mjetet e informimit publik.

Fusnotat dhe identiteti i vërtetë i serbit me origjinë shqiptare të njohura për autorin e shkrimit.