Serbia ka kërcënuar me kthim të ushtrisë në territor të Kosovës. Drejtori të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia po shqyrton mundësinë që t’i çojë 1000 forca të sigurisë në territor të Kosovës, pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi praninë në veri të vendit.

Në një konferencë për media të enjten në mbrëmje, Petkoviqi ka thënë se në veri janë aktualisht 300-350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarë të njësisë speciale, edhe pse kjo është demantuar nga institucionet e Kosovës.

Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për “veprime të dhunshme”, e “tentim okupimi të veriut”.
Ka thënë se “Beogradi do ta konsiderojë kthimin e deri 1000 forcave të sigurisë në territor të Kosovës, siç garanton Rezoluta 1244, në veçanti neni 4 i kësaj rezolute dhe neni 6 i aneksit të dytë”.