Kriza në Ukrainë po trondit botën dhe po e vë Serbinë në një situatë delikate. Presioni i BE-së për të mbështetur sanksionet ndaj Rusisë po rritet.

Kur Krimea u aneksua, Serbia arriti të manovronte për të shmangur sanksionet ndaj Moskës, por tani presioni është më i lartë.

“Serbia mund të manovrojë sërish për të dalë nga kjo situatë. Dihej që në kohën e krizës së Krimesë, kur Serbia mbështeti sovranitetin e Ukrainës dhe është pikërisht ky qëndrim që i mundëson të drejtën për të mos thënë asgjë lidhur me krizën aktuale”, tha Zoran Milivojeviç, diplomat.

Tradicionalisht, Serbia ka lidhje të forta historike dhe fetare me Rusinë dhe gjithashtu është e varur ekonomikisht nga Moska, sidomos kur bëhet fjalë për furnizimin me gaz dhe naftë.

“Të gjithë kanë një alternativë. Edhe Ukraina, që varej tërësisht nga gazi rus, pas 2014-s gjeti burime alternative gazi, edhe pse paksa më të shtrenjta. Por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse situata përshkallëzohet dhe cili do të jetë çmimi i gazit për Serbinë”, thotë Slavisha Tasiç, profesor ekonomie.

Kriza në Ukrainë vjen në një moment të vështirë politik për Serbinë, pasi vendi ndodhet në mes të fushatës elektorale dhe të gjithë shpresojnë se kriza do të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme, paqësore dhe pa pasoja diplomatike dhe ekonomike për vendin./euronews