Të paktën 7 persona janë vrarë dhe 48 të tjerë u plagosën në qendër të Londrës në një sulm terrorist. 3 autorët që kryen atentatin me furgon drejt turmës e më pas me thika, u vranë nga forcat e rendit.
Përsëri terror në Mbretërinë e Bashkuar. 7 persona kanë humbur jetën në një sulm terrorist në qendër të Londrës. Gjithashtu dhe 48 persona të tjerë mbetën të plagosur, 21 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Autorët e sulmit fillimisht drejtuan një kamion me shpejtësi të lartë për në shëtitoren e urës së famshme të Londrës duke përplasur kalimtarët. Më pas ata dolën nga mjeti me thika në duar dhe sulmuan qytetarët në zonën e tregut “Borough Market”, e njohur për restorantet dhe baret e shumta.
Në harkun kohor të 8 minutave, forcat e armatosura u konfrontuan me 3 agresorët meshkuj dhe I qëlluan për vjekje po në tregun “Borough Market”. Sipas mediave britanike, hetuesit kanë identifikuar autorët. Por theksojnë se autoritetet nuk do publikojnë emrat e tyre. “E kishim fqinj. E kam përshëndetur mbi 60 herë. Ai kishte 2 fëmijë të vegjël. Ishte një person I mirë”, thotë një fqinj I njërit prej agresorëve për mediat britanike.
E gjithë ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së shtunës. Policia njoftoi se autorët e sulmit mbanin të veshur jelekë-bombë por që rezultuan të ishin fallco. Kreu I forcave të rendit në Londër bëri me dije se agresorët ishin vetëm 3. Gjatë së dielës hetuesit kontrolluan dhe banesat e tyre.
Mësohet se 12 persona janë arrestuar në lindje të Londrës në lidhje me hetimet për atentatin.