Liga spanjolle ka përcaktuar kalendarin e sezonit 2017/2018 që do të nisë në datën 19-20 gusht. Skuadra kampione e vendit Iberik do të nisë mbrojtjen e titullit me sfidën ndaj Deportivo La Corunas në “Riazor”, ndërsa katalanasit do të presin Real Betis.

Atletico do të luajë në javën e parë ndaj Girona-s në fushën e kësaj të fundit edhe pse në kalendar skuadra e Simeones është përcaktuar pritëse dhe kjo për shkak të punimeve në stadiumin e saj. E njëjta histori vlen edhe për Villarreal që do të përballet me Levanten në Valencia.

Për sa i përket sfidës që ka vëmendjen më të madhe në kampionatin spanjoll, “El Clasico” mes Realit të Madridit e Barcelonës, përballja e parë në kampionat do të jetë në “Santiago Bernabeu” në 20 dhjetor dhe përkon me javën e 17.

Ajo që të bën përshtypje është se kjo sfidë do të luhet pas Botërorit të Klubeve ku do të marrë pjesë Reali, finalja e të cilit është parashikuar të luhet në 16 dhjetor. Sfida e kthimit e “El Clasico”-s do të luhet në 6 maj në “Camp Nou”.

Ndërsa derbi i parë Madrilen mes Realit dhe Atleticos është parashikuar të luhet në stadiumin e ri të “Los Colchoneros”, “Wanda Metropolitan” në 19 nëntor për javën e 12, ndërsa e kthimit do të luhet në “Santiago Bernabeu” në 8 prillin e vitit të ardhshëm.